KQZ pa afat për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve

Komisioni Qendrore i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk e parashikon një datë të caktuar se kur mund të shpallet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 6 tetor. Numërimi i votave tashmë ka përfunduar.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tregon se ka përfunduar numërimi i të gjitha votave të rregullta, atyre me postë, votave me kusht, votave nga diaspora, votave të personave me nevoja të veçanta, si dhe rinumërimi për disa vendvotime ku ishin vërejtur parregullsi. Megjithatë, ai nuk jep edhe një datë se kur do të shpallet rezultati final.

“Nuk ka ndonjë afat ligjor se kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të shpallë rezultatin përfundimtar të një procesi zgjedhor. Por, ligji parasheh se të gjitha procedurat që duhet të përfundohen deri te shpallja e rezultatit përfundimtar”.

“Në këtë drejtim, KQZ-ja do të shpallë rezultatet përfundimtare të një procesi zgjedhor pasi të numërojë votat më kusht, votat me nevoja të veçanta dhe votat nga jashtë vendit. Po ashtu, pasi të përfundojnë të gjitha rinumërimet eventuale që bëhen me rekomandim të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve. Dihet se KQZ-ja ka përfunduar numërimin e këtyre votave”, tha Elezi.

Përmbyllja e procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që nënkupton shpalljen e rezultatit përfundimtar dhe certifikimin e tij, sipas Elezit, varet tashmë nga vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Bëhet fjalë për një ankesë të Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e rreth 5 mijë votave të ardhura nga diaspora në Kosovë jashtë afatit kohor ligjor.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button