Drejtësia e shtetit dhe lirat e kadiut

Në një fshat të Dervenit, sapo kishte pushuar t’i vijë era barotit nga ajo luftë e madhe, ishin tubuar burrat në një kooperativë, për të dëgjuar fjalët e një “buxhe” nga pushteti, që kishte ardhur nga kryeqendra. Të gjithë ishin bërë sy e vesh, por nga tymi i dendur i duhanit që nuk fikej nga sikleti, as këta që ishin ulur në karrige të holla dhe as ata në karrige me kadife, nuk mund të shihnin “dyryz” njëri-tjetrin.

Njeriu i trashë i pushtetit, pasi ishte kollur disa herë, kishte filluar të flasë me një gjuhë gati se të “pakuptueshme”: “Pas ndërtimit të socializmit, që është një proces kalimtar për të arritur në komunizëm, kur të gjithë do të jenë të barabartë, pushteti gradualisht do të vdes, duke kaluar në duart e njerëzve të rëndomtë…!”

Pasi e kreu “referatin”, aktivisti që e drejtonte tubimin kishte kërkuar nëse kishte dikush ndonjë pyetje. Ishte ngritur një katundar me qeleshe të zverdhur dhe kishte pyetur se “kur do të kishin ujë të pijshëm në katund…?”

“Heshtë, or teveqel, a nuk sheh se shteti po vdes, e ti po kërkon ujë!”, i ishte kërcënuar aktivisti këtij që deshi të pyesë edhe shumë gjëra të tjera.

Historia, por, dëshmoi se ai sistem tek ne nuk deshi të vdes vetvetiu, përderisa nuk filloi procesi i shuarjes në disa shtete të “bllokut juglindor”. Ai sistem u zëvendësua edhe tek ne me pluralizëm e demokraci, por pa drejtësi. Drejtësia, thonë, është shtylla e shtetit dhe në mungesë të saj, gradualisht shteti vdes. Kjo ndodhi vërtet në dhjetëvjetëshin e fundit, por ne ishim të verbuar e nuk shihnim. Gjetën një nocion, për të na shpërlarë trurin: “Shteti i kapur!”

Edhe ky fakt (për vdekjen e shtetit) do dëshmuar me ndonjë anekdotë, në këtë rast kemi një të tillë nga koha e Fatih Sulltan Mehmetit, për të kuptuar më mirë se si po funksionon shteti në të cilin jetojmë sot dhe se si s’kemi lëvizur vendit.

Anekdota thotë kështu: Një burrë kishte varrosur një qen të ngordhur në varrezat e qytetit. Ata që e panë këtë gjendje, menjëherë lajmëruan Kadiun e vendit. Kadiu, para se të ngrinte aktakuzë, kishte thërritur këtë burrë për ta marrë në pyetje. Pasi e kishte pyetur Kadiu burrin me tone qortuese, duke mos pritur pranimin e kësaj vepre, burri i përgjigjet: “Po, kadi efendi, është e vërtetë, unë e kam bërë këtë vepër, sepse testamenti i qenit ishte i tillë, unë vetëm që e solla në vend dëshirën e fundit të qenit!”.

Kadiu: “Ti, efendi, a po tallesh me inteligjencën tonë?”, ktheu me nervozizëm ai.

Burri: “Jo, assesi efendi, madje në atë testament kërkohej që njëkohësisht t’i jap kadiut 100 lira ari!”, tha ai.

Pasi i dëgjon këto fjalë, Kadiu menjëherë ndërron mendimin: “Qeni i vdekur, ndjesë pastë, me të vërtetë na ka pikëlluar!”

Njerëzit e pranishëm u habitën me këtë ndryshim qëndrimi të kadiut. Kadiu atyre u drejtohet: “Kjo gjendje s’duhet fare t’ju shqetësojë, sepse bëra një hulumtim për të kaluarën e këtij qeni dhe zbulova se ka jetuar në një familje me prejardhje fisnikësh!”.

Çka kishte ndodhur pastaj? Atë ditë që ishte shitur Kadiu për lira ari, kishte vdekur drejtësia, ndërsa në ditën e vdekjes së drejtësisë, kishte vdekur edhe shteti.

Shkruan: Ismail Arsllani

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button