Si asnjëherë më parë, Festivali i Këngës vjen me disa risi

Këtë vit Festivali i Këngës do të jetë pa dyshim ndryshe nga ai që kemi parë zakonisht. Edicioni i 58-të i Festivalit do të vijë me disa risi për t’u bërë më i prekshëm nga njerëzit dhe fansat e muzikës.

Si asnjëherë më parë, këngët pjesëmarrëse në Festival do të publikohen një muaj më parë në YouTube, ku të gjithë mund të kenë mundësinë t’i dëgjojnë, para se këngëtarët t’i interpretojnë në skenën e madhe, transmeton Revista Class.

Për herë të parë, në përpjekje për të qenë sa më pranë fansave të muzikës dhe besnikëve të Festivalit të Këngës, do të vijë shumë shpejt në Radio Televizionin Shqiptar një hapësirë që do t’u kushtohet ekskluzivisht këngëve pjesëmarrëse. Do të ketë prapaskena nga realizimi i tyre, intervista me artistët dhe backstage nga klipet që po xhirohen, të pathëna nga këngëtarët në garë, çfarë thonë lart e poshtë konkurrentët për njëri-tjetrin, interaktivitet me rrjetet sociale etj. Ky program do t’u hapë rrugë netëve finale në Pallatin e Kongreseve.

Pas një viti shkëputje nga televizioni, Eni Shehu do të rikthehet për të prezantuar këtë program risi në Festivalin e Këngës, që i është besuar nga Alketa Vejsiu dhe Vera Grabocka. Shehu, një bashkëpunëtor i hershëm me dyshen Vejsiu-Grabocka, do të sjellë një frymë moderne dhe tërheqëse për një publik të ri në moshë, që do të gjejë në këtë hapësirë këngëtarët e preferuar.

Gjatë netëve finale, gazetari dhe aktori Eni Shehu, do të drejtojë Post-Festivalin, ku do të mësohen prapaskenat e konkurrimit dhe ku do të ketë diskutime me gazetarët që do t’i ndjekin e do të japin çmimin e medias.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button