NOMOFOBIA

Ju ka ndodhur që të bëheni nevrik me fëmijën tuaj për shkak të përdorimit të gjatë të celularit apo tabletit, t’ia merrni dhe më pas të mëshiroheni dhe t’ia ktheni? Dhe sërish të keni dilema dhe droje. Me gjasë: Po! Ka kohë që si individ dhe si familje i kemi hyrë një aventure apo beteje të re: asaj të racionalizmit/normalizmit (!) të raporteve fëmijë-celularë apo fëmijë teknologji informatike. (Ndërkohë do shënuar se edhe një pjesë e të rriturve janë pre e këtij problemi botëror).

Këtyre ditëve një gazetare na pyeti për vendin kritik që po merr telefoni në përditshmërinë tonë, për një vegël që edhe ndihmon por edhe që dëmton tepër. I inspiruar prej “luftës” me fëmijët tanë dhe këtij komunikimi, iu rrekëm kësaj teme të regjistruar qëmoti në listën e shkrimeve potenciale, qëkur ndoqëm një emision në një televizion të huaj lidhur me nomofobinë apo fonocentrizmin si një patologji moderne, si “sëmundje” të gjeneratës digjitale.

Termi nomofobi është krijuar në vitin 2008 nga Stewart Fox-Mills gjatë prezantimit të rezultateve të një ankete të realizuar lidhur me përdorimin e celularëve nga qytetarët britanikë. Ky term shenjon një sëmundje të re të shekullit të teknologjive informatike: “fobia nga mospasja e celularit apo telefonit.” Sipas Bernardinit (2018) nomofobia është një ndjenjë irracionale dhe ngulmuese që vjen nga frika për të mos qenë i lidhur me internetin përmes “telefonit të urtë”.

Konsiderohet si fobi e modernitetit që është futur në jetën tonë si rrjedhim i ndërveprimit mes njerëzve, informatave mobile dhe teknologjive të komunikimit; dukuri për të cilën komuniteti mjekësor diskuton që të cilësohet apo të kategorizohet edhe zyrtarisht si gjendje psikiatrike, si çrregullim anksioziteti, çrregullim i mënyrës së jetesës ose varësi. Është një varësi nga telefoni që formëson sjelljet sociale dhe shëndetin mental të një pjese të mirë të njerëzve; një varësi ekstreme nga telefoni që brengos prindërit, institucionet, shoqërinë. Një sëmundje që po na i vjedh fëmijët dhe brezin, që i tëhuajëson ata dhe neve vetë.

Varësia nga telefonat e mençur apo smartfonët nuk ndikon vetëm te mendja, por edhe te raportet ndërnjerëzore, ku një person fizikisht është prezent por psikologjikisht s’është aty, gjendet në një botë tjetër, në një botë të tij, që e ndan atë nga rrethina, nga realiteti konkret. Kjo varësi shkakton probleme të natyrave të ndryshme, mes tjerash edhe ato oftalmologjike apo të syve, në performancën në vendin e punës (“vjedhja nga koha aktive”), në raportet brendafamiljare, bashkëshortore e të ngjashme. Sa punëtorë janë spostuar për shkak të pasivitetit! Sa divorce ndodhin për shkak të dhunës së ushtruar si rrjedhim i psikologjisë së prishur, i lidhjeve të fshehta me persona të tjerë që janë pykë e vënë mbi trungun familjar!

Si tregues tipikë të nomofobisë janë shprehia e mbajtjes aktiv të telefonit përgjatë gjithë ditës, tendenca e shqetësimit kur s’ke celular, postimet e shpeshta online për veten dhe përvojat, kontrollimi i vazhdueshëm i mobilit, i disa aplikacioneve, si dhe shpeshtësia e pranimit dhe bëries thirrjeve, e shkrimit permanent të porosive.

Hulumtimi i Katherin B. (2008) me 2163 veta ka treguar se  53% e britanikëve ndjehen në siklet të madh nëse e humbnin telefonin mobil, nëse iu harxhohet bateria ose krediti, ose janë jashtë rrjetit. Rezultate më trazuese kanë dalë edhe nga sondazhi për SHBA nga Harris Interactive (2013): 63% të të anketuarve janë shprehur se ndjehen keq nëse për një periudhë të gjatë qëndrojnë larg celularëve të vet. Qytetarët digjitalë italianë besojnë se smartfonët, interneti dhe rrjete sociale ua kanë përmirësuar jetën sociale (54%), duke shtuar se s’mund ta imagjinojnë jetën pa celular (63%). 81 % i mbajnë aktivë telefonat e tyre edhe natën, kurse 68% i hapin menjëherë me t’u ngritur në mëngjes. (Bernardini, 2018) Sipas “Statista” brazilianët janë 4 orë e 48 minuta në rrjet përmes veglës mobile, kinezët janë të dytët me 3 orë e tre minuta, kurse amerikanët të tretët me 2 orë e 37 minuta. 75% të shfrytëzuesve kanë pranuar se së paku një herë kanë shkruar tekst duke vozitur veturën. ¾ e amerikanëve e shfrytëzojnë telefonin edhe në tualet.

Nomofobia ka impakt edhe në sferën e arsimit, te aftësitë kognitive. Sipas një hulumtimi me 500 studentë të D.J. College të Modinagarit (Indi) është konstatuar se te 40% të përgjigjësve këto vegla kanë ndikuar në notat e dobëta që i kanë marrë në fund të semestrit. (Prasad, 2017) Sipas studimit të njëjtë, 85.9% e studentëve dentarë kanë pohuar se s’mund të bëjnë dot pa celularët e vet më tepër se një javë.  Këtë e ka vërtetuar edhe kërkimi i Akanferit dhe kolegëve (2014) që kanë konstatuar se 88% e respondentëve kanë mbështetur qëndrimin se s’mund të rrinë pa i shfrytëzuar veglat magjike. Li M. (2016) ka observuar se 69% të studentëve i shfrytëzojnë celularët e vet edhe në klasë, gjatë leksioneve.

Doktor Kinmani e lidh këtë problematikë me një ndryshim të madh në histori dhe me panikun moral. Gjetjet tregojnë varësia nga telefoni është klinike. Simptomet kryesore janë djersitja, dridhja, takikardia, frymëmarrje abnormale dhe ndjenja e frikës. Bota akademike tregon se si te brezi Z të qenët i shkëputur nga telefoni ose kompjuteri mund të shkaktojë anksiozitet, shqetësim, irritim, stres, panik, madje edhe depresion. Natyrisht që jo të gjitha sjelljet që kanë të bëjnë me përdorimin e smartfonëve mund të quhen patologjike, por ama është e qartë se përdorimi i tepruar e këtyre mjeteve ka rezultuar me shfaqjen e një rreziku të ri masovik që kërkon trajtim serioz nga shumë perspektiva.

Si përfundim mund të thuhet se teknologjia po krijon një kategori të re të “robërve”, “robërit e teknologjisë”. Andaj për të rifituar lirinë dhe për ta shijuar jetën duhet që t’i lëmë kohë edhe vetes, familjes dhe miqve tanë që i kemi pranë. Teknologjia nuk është uni jonë i zgjatur (extended self) siç pohojnë disa. Ajo është tjetri afër nesh, me tendencë për t’u përbrendësuar në ne. Andaj të bëhemi vetja: të shkëputemi nga celulari së paku në dhomën e gjumit dhe në tavolinën e bukës. Të fillojmë ne të rriturit, që të ndikojmë te fëmijët. S.O.S. për gjeneratën Z! Për të gjithë ne bien këmbanat! Për ardhmërinë e shoqërisë dhe njerëzimit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button