350 mijë vetë në shesh, protesta e radhës në Barcelonë

Katalonja që ëndërron pavarësinë dhe refuzon dorën e hekurt të drejtësisë spanjolle kundër liderëve të saj, është derdhur sërish në Barcelonë.

Të paktën 350 mijë vetë, sipas shifrave të policisë lokale, që zakonisht janë të kursyera, janë mbledhur në shesh duke kërkuar lirimin e të burgosurve politikë, transmeton Top Channel.

Manifestimi u zhvillua paqësor deri në mbrëmje, kur edhe u verifikuan përleshjet e para në afërsi të stacionit qendror të policisë ku mijëra vetë ishin mbledhur dhe në pika të tjera në qendër pati barrikada dhe zjarre në rrugë.

Policia, reagoi me gaz lotsjellës dhe plumba gome. Sipas bilancit paraprak, janë 15 të plagosurit, mes tyre një polic, si edhe disa të arrestuar. Në shënjestër të manifestuesve është gjykata e lartë e Madridit që 16 ditë më parë dënoi nëntë liderë indipendentistë, që kishin promovuar referendumin e 2017, me 9 deri në 13 vite burg.

Si rezultat, erdhi kjo valë protestash që deri më tani ka shkaktuar 600 të plagosur dhe dhjetra të arrestuar, pas infiltrimit të grupeve të dhunshme në marshimet paqësore.

Ndërkohë për të dielën është programuar një kundër-manifestim, po në Barcelonë, këtë radhë unionist.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button