BREZA FEMRASH

Kur linda n’agun e s’ mërkurës
ia mbyllën sht’pis’ der’n e madhe
t’ mos m’i shihte syt’ bota,
n’ dritaret e heshtura kah rruga
perde t’ zeza vu dor’ e fatit,
mbi timen ëmë ranë mallkime t’ shumta
e për gjyshen dhimbje t’ re l’shoi dita.
N’ krah’ s’ më morën me dashuri,
shkëndija urrejtjeje n’ ball’ u rëndonin,
shamizezat e ngujuara me ego burrash
n’ djep druri ma kufizuan dit’n e par’…
t’ mërkurën e zez’ për timen ëmë…
timen gjyshe…
timen jetë në prag dëshirash.
Dhe emrin ma lanë me der’ mbyllur
n’ err’sir’ t’ dhomës s’ simes ëmë,
larg dhe prej hënës
mbyllur n’ sht’pi t’ heshtur fshati;
ma shkruan fatin n’ hajmali qafe
e lanë mbi mua urrejtje t’ reja;
n’ gjoks hën’ e natës s’ parë m’ ra
bashkë me lotët e simes ëmë,
fshirë me cep t’ shamisë s’ zez’…
t’ ziut fat n’ breza femrash.
T’ nes’rmen s’mori vesh bota timen lindje,
n’ heshtje egot vranë jetën
me fjalë burrash n’ oda t’ m’dha;
gjyshja s’ia puthi t’ atit ballin,
mikut s’iu ndez zjarr n’votër,
me dor’ n’ zemër s’iu dha duhan,
as simes ëmë si qeshi buza
kur n’ gji t’ saj piva dhimbjen e bardhë.
As t’ nesërmen s’u çel der’ e madhe,
as perdet si hoq dor’ e gjyshes,
mbi mua jeta l’shonte ditët
e n’ timen ëmë shamizez’
urimi i burrit as që vinte.

Autore: Adelina XHAFERI

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button