Partitë në RMV i ndanë për vete 4.5 milionë euro nga paratë e qytetarëve

Gjithsej 39 parti politike këtë vit kanë fituar para nga Buxheti i shtetit, në pajtim me Ligjin e ri për financim të partive politike. Janë paguar gjithsej 4.583 milionë euro, ndërkaq plotësisht do të duhet të ndahen edhe 319.800 euro për qendra partiake analitike, njofton IRL, transmeton Portalb.mk.

Më së shumti para nga arka shtetërore kanë marrë LSDM dhe VMRODPMNE. Partia në pushtet ka marrë 1.180.000 euro, ndërkaq partia më e madhe opozitare 1.025.000 euro. Në vendin e tretë është BDI, e cila ka fituar 441.000 euro ,ndërkaq më pas Lëvizja BESA me 255.000 euro dhe Aleanca për Shqiptarët 245.000 euro.

Nga kulaçi kanë marrë edhe partitë më të vogla, shumica e të cilave janë në koalicion me partitë politike më të mëdha dhe kanë fituar më shumë vota, gjegjësisht më shumë para nga buxheti. Ka edhe prej atyre që në zgjedhjet e fundit lokale kanë dalë vetë, kështu që kanë fituar para në pajtim me përqindjen e votave që i kanë fituar.

Kështu, GROM, ku kryetar është Stevçe Jakimovski nga paratë e qytetarëve këtë vit ka fituar 136.000 euro, ndërkaq Lidhja e Romëve ku kryetar është Amdi Bajram ka fituar 116.00 euro. Partia Socialiste, ku kryetar është Xingo ka fituar 81.000 euro.

Partitë që vazhdimisht janë në koalicion me dy partitë më të mëdha në vend, PRSD ka fituar 58.000 euro, PLD 63.000, ndërkaq DOM 54.000 euro.

Vjet në korrik partitë politike pa debat, pasi që kanë arritur marrëveshje politike mes partive udhëheqëse në vend me 101 vota “Për” e kanë ndryshuar Ligjin për financimin e partive politike dhe në vend të 1.8 milionë eurove, tani marrin 4.5 milionë euro në nivel vjetor, ose 0.15% të të ardhurave të përgjithshme nga arka shtetërore.

30% e parave ndahen në mënyrë të barabartë për të gjitha partitë që kanë siguruar së paku 1% nga numri i përgjithshëm i votave të listës zgjedhore që kanë votuar në zgjedhjet e fundit parlamentare ose lokale. Ndërkaq, 70% e parave ndahen sipas numrit të mandateve, ose këshilltarëve komunal.

Kështu për shembull, një pjesë e partive që kanë fituar para këtë vit, nuk kanë as deputetë e as këshilltarë, por kanë marrë numër të mjaftueshëm të votave që të hyjnë në ndarjen e parave të shtetit. Partia e Vllahëve ka marrë 11.800 euro, ndërkaq Levica madje 94.500 euro. Para ka fituar edhe Partia e Pensionistëve të Bashkuar 20.000 euro, ndërkaq Partia e Demokratëve të Bashkuar 24.000 euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button