Takimi Meta-Pendarovski: RMV dhe Shqipëria po realizojnë një bashkëpunim frytdhënës

Ilir Meta, presidenti i Shqipërisë mirëpriti në takim sot në Tiranë presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, pas aktiviteteve në Samitin për Paqe.

Ishte Meta ai që mori fjalën i pari duke thënë se “nuk jemi të lumtur përsa i përket negociatave, por është tepër e qartë që ndajmë një qëndrim të përbashkët”.

“E vetmja rrugë dhe e vetmja alternative për dy vendet mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian; në këtë drejtim do forcojmë përpjekjet tonë për të qenë të besueshëm, si në planin e brendshëm dhe në atë të bashkëpunimit edhe me vetë Bashkimin Evropian, në mënyrë që sa më shpejt të kemi zhvillime pozitive. Çdo ide tjetër do ishte e papranueshme, për një rajon që është jetik për të ardhmen e kontinentit; është i rrethuar nga vendet e Bashkimit Evropian”.

Më tej, Meta shtoi:

“Do të forcojmë detyrat tonë të brendshme në mënyrë që sa më shpejt të jetë i mundur anëtarësimi. Duhet të bëjmë përpjekje më të mëdha dhe platforma me e mirë është ajo e Bundestagut gjerman që kërkohet një konsensus dhe një realizim i përbashkët nga të gjithë palët në vendin tonë.”

Për ta përmbyllur me:

“Të intensifikojmë marrëdhëniet mes të rinjve, mesazhe sa më pozitive jo vetëm të bashkëjetesës por edhe të ardhmes së tyre të sigurt në vendet tonë, në mënyrë që të dekurajojmë çdo tendencë për t’u larguar nga vendet tona; ky është një rajon me një protencial të madh për t’u zhvilluar shpejt.”

Ndërsa presidenti Pendarovski deklaroi se “Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po realizojnë një bashkëpunim frytdhënës”.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, propozoi mbajtjen e një Samiti të Jashtëzakonshëm me shtetet e Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

“U pajtuam që obligimi ynë si kryetar të shteteve është t’i inkuraojmë të gjithë faktorët politikë në shtetet tona të vazhdojnë me obligimeve nga axhenda evropiane, në interes të qytetarëve tanë, dhe t’i bindim liderët evropianë se negociatat me vendet në rajon janë investim në stabilitet dhe prosperitet. Në këtë kontekst, unë propozova që shtetet e Ballkanit Perëndimor në periudhën e ardhshme të mbajnë një samit të jashtëzakonshëm ku do të diskutojmë për marrëdhëniet ndërfqinjësore, dhe në pas kësaj edhe me alternativat e zgjerimit”.

Presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski në një konferencë për shtyp me presidentin Meta, është shprehur se të dy vendet meritonin hapjen e negociatave. Ai tha se procesi i ndarjes së dy shteteve nuk ka qenë asnjëherë pjesë e fjalorit politik të Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se vendimi i BE është i pamerituar dhe ndëshkim për gjithë rajonin.

Presidenti Pendarovski ka dalë kundër idesë së Francës që BE të krijojë një partneritet special me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Ne nuk na mjafton vetëm të jemi pjesë vetëm e tregut  të përbashkët evropian por duhet të jemi patjetër pjesë e institucioneve politike të Evropës që të miratojmë dhe zbatojmë ne vendet tona vlerat demokratike të BE. Nëse bëhet fjalë për një retorikë politike që më vonë nuk do të transformohet në BE e pranoj si të tillë”, deklaroi Pendarovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button