Thaçi në Tiranë: Nuk mund të mburremi askush, as në rajon, as në Bruksel, me rezultatet

Hashim Thaçi, Presidenti i Kosovë mbajti fjalim në Samitin për Paqe që po zhvillohet në Tiranë, ku po marrin pjesë liderët e Evropës Juglindore, transmeton Portalb.mk.

Ky Samit organizohet në Pallatin e Kongreseve, nga Federata universale për paqe.

Fjalimi i tij filloi me pranverën e vitit 1999-të, më saktë me intervenimin e forcave ajrore të NATO-s n Kosovë.

“Samiti i Selanikut i BE-së në vitin 2003, në vijim të këtij hapi të madh strategjik të Washingtonit dhe Brukselit, edhe formalisht hapi kapitullin e perspektivës evropiane për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar Thaçi.

Kreu i vendit më tej ka shtuar se Kosova u bë shtet i pavarur në shkurtin e vitit 2008-të, duke shtuar tutje se, së bashku me njohjet e para të pavarësisë së Kosovës erdhi edhe mesazhi për perspektivën evropiane për shtetin më të ri në rajon dhe në Evropë.

“Se çfarë ka ndodhur më pas, kur bëhet fjalë për transformimin e paqes në një gjendje permanente dhe në stabilizim afatgjatë në mes të shteteve dhe popujve të kësaj pjese të Evropës”, presidenti ka thënë se “Nuk mund të mburremi askush, as në rajon, as në Bruksel, me rezultatet e këtij Projekti të përbashkët”.

Sipas tij, paqja e para njëzet viteve, solli një entuziazëm të jashtëzakonshëm të të gjithë neve, qofshim politikanë apo qytetarë të kësaj ane të Evropës.

“Nuk besoj që ka pasur politikanë apo qytetarë në Kosovë, apo kudo në këtë pjesë të Ballkanit, që ka mundur të supozojë që njëzet vjet më pas, i gjithë ky rajon nuk do të bëhej pjesë e BE-së”, ka thënë ai, duke shtuar tutje se “Kush do të besonte që marrëdhëniet në mes të këtyre shteteve dhe popujve, nuk do të bëheshin sipas shembullit të Francës dhe Gjermanisë në njëzet vitet e para pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore”

Sipas tij, paqja afatgjatë e Ballkanit Perëndimor, në masë të madhe varet nga paqja e përhershme në mes të Kosovës dhe Serbisë, – pra nga Marrëveshja Gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, – e cila nuk ka si mos të përfundojë pa njohjen reciproke si dy shtete të pavarura dhe sovrane.

“Ne në Kosovë po e paguajmë çmimin e rëndë të shtyrjes së vendimit për Liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke shtuar më tej se “na është bërë një e padrejtë, njësoj si edhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se është i sigurt që e tëra kjo, as për ne në Kosovë dhe as për miqtë tanë në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, nuk shkakton hamendje, dyshime dhe ngecje se çka duhet të bëjmë, si duhet të sillemi tash e tutje në raport me BE-në.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button