Nesër pritet të përfundojë numërimi dhe rinumërimi i votave

Në Qendrën për Numërim dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve me kusht dhe fletëvotimeve të personave me nevoja të veçanta, ku nga gjithsej 26 mijë e 819 fletëvotime deri tani janë numëruar 13 mijë e 804 vota.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha se deri nesër pritet të përfundoi procesi i numërimit të fletëvotimeve të këtyre dy kategorive.

Sipas Elezit, nesër pritet të rinumërohen edhe katër vendvotimet për të cilat sot vendosi KQZ-ja që t’i rinumëroi.

“Në plan për t’u numëruar rreth 27 mijë të këtyre kategorive, pra vota të personave me nevoja të veçantë dhe votave me kusht. Deri në këto momente kur po flasim të dhënat e fundit janë të orës 15:00 mund të themi se janë numëruar gjysma e tyre, më shumë se 13 mijë dhe po besojmë që deri nesër gjatë ditës të arrijmë të përmbyllin procesin e numërimit të të gjitha këtyre fletëvotimeve. Gjithashtu gjatë ditës së nesërme planifikojmë numërimin e atyre katër vendvotimeve për të cilat vendosi sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha ai.

Zëdhënësi i KQZ-së u shpreh se javën e ardhshme KQZ do jetë e gatshme për të shpallur rezultatet përfundimtare të 6 tetorit, transmeton Koha.net.

Sipas tij, për certifikim të rezultateve përfundimtare duhet të pritet edhe vendimi i PZAP dhe Gjykatës Supreme në rast të ankesave nga kandidatët për deputet dhe subjektet politike.

“Tashmë jemi në fazën përfundimtare para se të kalojmë tek shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 6 tetorit, besojmë që me përfundimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, si dhe rinumërimi i atyre katër vendvotimeve…do jemi të gatshëm për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 6 tetorit. E kemi thënë edhe dje se besojmë që në fillim të javës KQZ-ja do të shpall rezultatet përfundimtar të 6 tetorit”, tha ai.

Në bazë të numërimit të votave me kusht dhe të atyre me nevoja të veçanta është duke prirë Lëvizja Vetëvendosje me gjithsej 3747 vota, e pasuara nga PDK me gjithsej 2815 vota, ndërsa LDK ka grumbulluar 2641 vota.

Koalicioni AAK-PSD ka marrë nga votat me kusht dhe ato të personave të veçanta gjithsej 2045 vota, ndërsa, koalicioni NISMA-AKR-PD ka gjithsej 622 vota.

Kujtojmë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhje e sotme ka vendosur që të rinumërojë edhe katër vendvotime, ndërsa deri sot ka rinumëruar rreth 850 vendvotime.

Në bazë të rezultateve përfundimtare të KQZ-së fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit është Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa e dyta u rendit Lidhja Demokratike e Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button