Rama: Minishengeni çliron ngërçin mes Shqipërisë dhe Kosovës, sot takim me Kurtin

“Për minishengenin ballkanik unë nënshkruaj 100% korrekte dhe të saktë prononcimin e Albin Kurtit që thotë se: rëndësi ka që Kosova të jetë e ftuar në nisma të tilla”, deklaroi dje kryeministri Edi Rama, njofton ATSh.

I ftuar në një studio televizive, kryeministri Edi Rama foli për minishengenin ballkanik, ndërsa theksoi se “në deklaratën e miratuar së bashku me presidentin e Serbisë dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut ftohen të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe flitet në vijimësi për 6 vende, njëra prej të cilave është Kosova.

“Këto janë gjëra shumë të rëndësishme politikisht. Presidenti i Serbisë bashkë me ne ka rënë dakord për një deklaratë të përbashkët ku flitet nga fillimit deri në fund për 6 vende të Ballkanit Perëndimor, të cilat ftohen në 10 nëntor në Ohër. Kjo është një nismë jo përjashtuese, por gjithëpërfshirëse”, tha Rama.

Ai iu sugjeroi kritikëve në Kosovë që t’i referohen propozimit të kryeministrit të zgjedhur Albin Kurti lidhur me atë nismë. “Edhe ata të Vetëvendosjes që dalin e bëjnë fletërrufe, përpara se ta bëjnë këtë t’i referohen Albin Kurtit. Prononcimin e Albin Kurtit për atë nismë e nënshkruaj sot 100%, si korrekte dhe shprehje e faktit që ai e ka kuptuar shumë mirë këtë nismë”, tha Rama.

Kryeministri tha se “Albin Kurti e ka kuptuar kur është prononcuar për atë nismë, se ajo është nisma që do të çlirojë përfundimisht ngërçin e madh mes Shqipërisë dhe Kosovës, lidhur me lëvizjen e lirë në dy territoret tona”.

“Ajo nismë bazohet në 4 liritë e BE-së, atë të lëvizjes, të qarkullimit të mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve. Përderisa presidenti i Serbisë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe unë kemi rënë dakord për një deklaratë që i referohen këtyre 4 lirive, dua të pyes se çfarë lloj lëvizje të lirë do të garantojmë ne mes Shqipërisë dhe Serbisë kur kufirin e kemi me Kosovën”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh deri në fund i bindur se ka një mundësi historike për të çuar para të gjitha proceset në rajon.

Lidhur me propozimin për krijimin e një ministri Shteti për Kosovën, Rama tha se “do t’i propozoj Albin Kurtit për të forcuar procesin e ndjekjes nga afër të të gjithë marrëveshjeve, pasjen e një Ministri Shteti të dedikuar”. “Nuk është ministri, është një Ministër Shteti pa portofol por i dedikuar vetëm për një temë”, tha Rama.

I pyetur se pse nuk e ka takuar Albin Kurtin kur ai ishte së fundi në Tiranë, Rama tha se “në dijeninë time nesër (bëhet fjalë për sot- sqarim ynë) unë kam takimin me të”. “Më ka kërkuar në mënyrë korrekte takim dhe kemi caktuar takimin nesër. Nuk kam asnjë problem, mezi pres që ai të marrë detyrën”, tha Rama

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button