RMV, mungojnë dhe ka gabime në libra, biznese nga profesorët, nxënësit kërcënojnë me bojkot të mësimit

Unioni i nxënësve të Maqedonisë së Veriut (UNM) ka realizuar anketë me nxënës të disa shkollave të mesme të vendit, rezultatet sipas së cilës tregojnë se çdo nxënësi i mungojnë dy deri në tre libra. Ndërkaq, edhe ata libra që i posedojnë, kanë gabime përmbajtësore, shkruan Portalb.mk. Nxënësit e akuzojnë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për neglizhencë andaj nuk përjashtojnë edhe protestat.

Është realizuar një anketë me 343 nxënës për problemet që ata i hasin kur fillojnë vitin shkollor, njoftoi sot në Tetovë kryetari i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme, Blend Hodai. Sipas rezultaveve, çdo nxënës përballet me mungesë të dy deri në tre librave shkollor, dhe me këtë shkilet Ligji për librat shkollor.

“Çdo vit të fillimit shkollor nxënësit përballen me problematika të shumta që pengojnë vijimin normal të procesit arsimor. Mes tjerash numëroj: mungesa e 20% të librave shkollor, librat vazhdojnë të jenë me gabime të shumta përmbajtësore, librat shkollor vazhdojnë të qarkullojnë nga nxënës në nxënës për 5 vite me radhë, shkollat e mesme profesionale përballen me mungesën e literaturës përkatëse ku 50% e nxënësve nga këto shkolla kanë deklaruar që nuk kanë tekste shkollore”, tha Hodai.

Përkundër faktit se me ligj është e paraparë që librat t’ju sigurohen falas secilit nxënës, ka pasur denoncime deri te ky union se megjithatë ka profesorë që bëjnë biznes duke ju shitur nxënësve librat me të cilat më pas do të zhvillojnë procesin arsimor.
Në mungesë të materialit përkatës, nxënësit gjithashtu detyrohen të fotokopjojnë disa libra për arsye se ndryshe nuk kanë nga të mësojnë.

“Nxënësit detyrohen të blejnë nga profesorë të caktuar libra dhe të fotokopjojnë disa të tjerë edhe përkundër promovimit se librat jepen falas. Kemi pranuar denoncime për disa mësimdhënës të caktuar që shesin libra të pa-lekturuar dhe pa-recenzuar”, thekosi Blend Hodai.

Sipas tij, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës fajin për mungesën e një pjese të librave e hedhin deri te drejtoria e Shkollave të Mesme, me arsyetimin se këto shkolla nuk kanë parashtruar kërkesë deri tek organet kompetente të Ministrisë së Arsimit në mënyrë që të furnizohen me librat që mungojnë.

Megjithatë, nga Unioni i Nxënësve kanë siguruar kërkesat e bëra nga dy Shkolla të Mesme deri te Ministria përkatëse, të cilat përkundër faktit që kanë parashtruar kërkesat, përsëri nuk janë pajisur me libra shkollor.

Kërkesat e dy Shkollave të mesme deri tek Ministria e Arsimit për furnizim me librat që mungojnë.
Kërkesat e dy Shkollave të Mesme deri tek Ministria e Arsimit për furnizim me librat që mungojnë.

Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme në Republikën e Maqedonisë së Veriut paralajmërojnë hapa tjera demokratike për zgjidhjen e këtyre problemeve, ata nuk përjashtojnë në bojkotin e organizuar të procesit arsimor si dhe protesta të nxënësve në të gjithë vendin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button