Këta liderë të Ballkanit e uruan Kurtin, në listë mungon Talat Xhaferi dhe Edi Rama

Rezultatet e para preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë të mbajtura më 6 tetor, u publikuan po atë natë, ku në vend të parë me vota ishte Lëvizja Vetëvendosje! e Albin Kurtit, transmeton Portalb.mk.

Përkundër asaj se rezultati nuk është certifikuar akoma, sepse po vazhdon rinumërimi i disa kutive, disa liderë të vendeve të Ballkanit kanë filluar ta urojnë kandidatin fitues, Albin Kurti.

“Gjatë dy javëve të fundit pranova shumë telefonata, mesazhe e letra urimi për rezultatin dhe suksesin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e 6 tetorit. Nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, z. Zoran Zaev, Kryetari i Kryesisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, z. Željko Komšić, Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, z. Genc Nimanbegu, ish Presidenti i Kroacisë, z. Stjepan Mesić, e shumë të tjerë. Me bashkëpunim të ngushtë me partnerët fqinjë e miq tonë, do të jemi një hap përpara zhvillimit e integrimit tonë. U jam mirënjohës të gjithëve për urimet, përgëzimet dhe gatishmërinë e shprehur për mbështetje” deklaroi Kurti.

Në listën e këtyre liderëve mungon kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi. Tashmë një kohë, për tema të ndryshme, kryesisht për ndryshimin e kufijve në Ballkan, janë kundërshtarë Albin Kurti dhe Edi Rama.

Fitorja e Albin Kurtit derisa te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut është pritur me entuziazëm, partia shqiptare në pushtet, BDI nuk ka shpreh diçka të tillë. Madje, përfaqësuesi më i lartë i BDI-së në institucionet e vendit, Talat Xhaferi, nuk e ka uruar fitoren e Kurtit, siç ka bë kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramos Ruçi.

Ndërkoh, partitë opozitare shqiptare në vend, fitoren e VV-së e kanë llogaritur si motiv për fitoren e opozitës edhe në RMV më 12 prill, ndërsa Albin Kurti ka paralajmëruar se nuk do të përkrah asnjë parti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button