Parlamenti Evropian e votoi Rezolutën për RMV-në dhe Shqipërinë

Me 412 vota “për” , 136 “kundër” dhe 30 “përmbajtur”, Parlamenti Evropian (PE) e ka votuar Rezolutën me të cilën i fton shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), që në takimin e ardhshëm të sjellin vendim për nisjen e negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) dhe Shqipërinë, transmeton Portalb.mk.

Takimi i radhës i liderëve evropian është paralajmëruar për në maj të 2020-s, në Zagreb.

Rezoluta u propozua nga 58 deputetë, të cilët siç u shprehën në propozim, “shprehin zhgënjimin e thellë nga pamundësia e BE-së që të fillojë negociata anëtarësuese, edhe përskaj asaj se të dy shtetet kanë bërë përpjekje të vlefshme për përmbushje të kërkesave evropiane”.

Ndërkaq, dje gjatë diskutimit për Rezolutën, grupet më të mëdha ashpër e kritikuan veton e presidentit të Francës, Emanuel Makron për moçeljen e negociatave të BE-së me RMV-në dhe Shqipërinë, por kishte edhe nga ata deputetë që i jepnin të drejtë.

Ministrja finlandeze e Punëve të Jashtme, Tuti Tupurainene në cilësi të kryesueses me BE-në, tha se është thellë e dëshpëruar që javën e kaluar nuk u arrit harmonizim në Këshillin Evropian.

Komisari për zgjerim në largim, Johanes Han e përsëriti kritikën se liderët e BE-së nuk kanë arritur ta realizojnë premtimin e dhënë.

“Komisioni Evropian do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në të gjitha mënyrat, tha Hani, dhe shfaqi shpresë se samiti në Zagreb do të ketë rezultat pozitiv.

Kritika ndaj Francës, dërguan edhe nga radhët e Socialdemokratëve, Të gjelbërve dhe nga Demokracia e Re qeveritare.

Mbështetësit e Makronin – deputetë francezë populistë dhe djathtistë ekstremë

Presidenti francez, Emmanuel Macron/ Foto:AFP

Ata që mbështetnin Makronin, ishin disa deputetë francezë, Zhordan Barela, Dominik Bild dhe Stefan Sezhurne nga partia e tij Republika në lëvizje, anëtarë të grupit Rimëkëmbja e Evropës.

Makron gjithashtu ishte i mbështetur nga djathtistja radikale dhe partitë populiste gjermane dhe italiane, si AFD-ja.

Deputeti i AFD-së gjermane, Lars Patrik Berg tha se, sipas sondazheve, pjesa më e madhe e qytetarëve të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut duan t’i braktisin vendet e tyre. Ai është i mendimit se në vend të perspektivës evropiane të dy vendeve duhet t’u jepet “njëfarë ndihme pragmatike dhe mbështetje në afat të gjatë”.

Eurodeputetja Dominik Bild vlerësoi se në Shqipëri “jetojnë shumë ekstremistë myslimanë” dhe theksoi se në Maqedoninë e Veriut “nuk ka pasur as dalje të mjaftueshme të referendumit për Marrëveshjen e Prespës”.

Xhaferi në seancën e PE-së ku diskutohet rezoluta kundër Francës
Xhaferi në seancën e PE-së ku diskutohet rezoluta kundër Francës

I pranishëm në seancë e diskutimit ishte edhe kryetari i Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi.

“Në Rezolutën e parashtruar nga deputetë të gjashtë grupeve politike më të mëdha në Parlamentin evropian, shprehet dëshpërim i thellë për shkak të dështimit të Këshillit Evropian të marrë vendim për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut për shkak të, siç theksohet në tekst, bllokimit të Francës, Danimarkës dhe Holandës. Në Rezolutë, mes tjerash, si përgjigje në bllokimin e Këshillit Evropian, thirret Parlamenti Evropian të caktojë dialog parlamentar rajonal me kryetarët e parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor me qëllim që të zhvillohet strategji për rolin e parlamenteve në reformat e agjendës evropiane dhe për arritjen e masave konkrete për përmbushjen e aspiratave evropiane të qytetarëve të rajonit”, thuhet në kumtesën e Xhaferit.

Kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev
Kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev

Nga ana tjetër, kryeministri Zoran Zaev atë e ka cilësuar si ilaç të vogël për shqetësimin që na kaploi me gabimin jokorrekt historik të BE-së karshi RMV-së.

“Qëllimi i PE-së është në ndihmë, diçka që është një ilaç i vogël për shqetësimin që na kaploi me këtë gabim jokorrekt historik që e ka bërë Bashkimi Evropian ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut. Besoj se procedurat e tilla edhe njëherë do ta kthejnë motivimin e popullit tonë për të vazhduar përmes rrugës së integrimit euroatlantik pasi ky përcaktim i yni është me arsye – kjo sjell investime, rritje dhe zhvillim, standard më të lartë dhe motivim të mjaftueshëm që të rinjtë të qëndrojnë këtu dhe të punojnë këtu”, deklaroi dje Zaevi.

Parlamenti Evropian nuk ka fuqi legjislative për vendimet për zgjerimin, megjithatë qëndrimet e tij janë të rëndësishme, sidomos në momentin kur pritet të votohen kandidatët e rinj nga Franca, Hungaria dhe Rumania për kabinetin e presidentes së zgjedhur të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Rezoluta vjen pasi RMV-ja dhe Shqipëria dështuan të marrin datën për nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian (BE) në muajin tetorKjo është shtyrë për në maj të 2020-s. Si rezultat i kësaj, kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev thirri në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 12 prill të 2020-s.

Rrjedhja e diskutimit në Samitin e BE-së ka qenë sipas skemës siç vijon më poshtë:

  • Të ndahet RMV-ja nga Shqipëria. Të parës t’i jepet data, të dytës jo. Kjo u refuzua nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, Makroni dhe kryeministri i Italisë, Xhuzepe Konte. Pas kësaj,
  • Merkeli ka dalë me propozim, që në vend të ndarjes, të ketë shtyrje të dhënies së datës,
  • Merkeli, Makroni dhe kryetari i Këshillit të BE-së, Donald Task kanë përpiluar propozim-vendim për shtyrje të vendimit deri në mars, dhe paralelisht të realizohet metodologjia e re e BE-së. Kjo u refuzua nga kryeministrat e Sllovenisë dhe Maltës, Marjan Sharec dhe Xhozef Muskat, dhe i ka përkrahur edhe ai Bullgar, Bojko Borisov.
  • U soll vendimi që në temën e zgjerimit të kthehet në Samitin e Zagrebit – maj 2020.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button