Turqia dhe Rusia kanë arritur marrëveshje për kufirin sirian

Turqia dhe Rusia kanë arritur pajtueshmëri për atë që është konsideruar si “marrëveshje historike” me qëllim të mbajtjes së forcave kurde larg kufirit të Sirisë me Turqinë, njofton REL.

Kjo marrëveshje është arritur pas operacionit turk që kishte për synim largimin e forcave kurde nga ky territor, në mënyrë që të krijojë të ashtuquajturën “zonë të sigurt” në këtë rajon.

Sipas marrëveshjes së re, forcat siriane dhe ato ruse do të mbikëqyrin tërheqjen e forcave kurde.

Luftëtarët kurdë ende nuk e kanë komentuar këtë marrëveshje, të cilët Turqia i konsideron terroristë.

Kjo marrëveshje po ashtu parasheh patrullime të përbashkëta turko-ruse përgjatë kufirit në javën e ardhshme.

Kjo marrëveshje është nënshkruar pas gjashtë orëve të negociatave në mes të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe nikoqirit të tij në Soçi, presidentit rus, Vladimir Putin.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Rusinë, Turqia ka thënë se nuk ka nevojë për nisje të operacionit të ri ushtarak, meqë në mesnatë ka skaduar armëpushimi që kanë ndërmjetësuar Shtetet e Bashkuara një javë më parë.Operacioni turk ka nisur pasi SHBA-ja ka njoftuar ditë më parë se do të tërheqë trupat e saj nga veriu i Sirisë, pavarësisht pse ata kanë qenë duke mbështetur luftëtarët kurdë, me të cilët kanë luftuar militantët e grupit ekstremist, Shteti Islamik në rajon.

Për çfarë është arritur pajtueshmëri në Soçi?

Gjatë operacionit ushtarak, Turqia ka fituar kontrollin e zonës kufitare 120-kilometërshe në mes të qytezave Ras al-Ain dhe Tal Abyad, në kuadër të tentimeve për të krijuar në “zonë të sigurt” në të cilën më pas do të dërgoheshin mbi dy milionë refugjatë që aktualisht jetojnë në Turqi.

Sipas marrëveshjes, Rusia është pajtuar për të lejuar trupat turke që të vazhdojnë të kontrollojnë këtë zonë.

Luftëtarëve kurdë u janë dhënë 150 orë nga mëngjesi i së mërkurës që të largohen 30 kilometra larg këtij territori.

Forcat ruse dhe ato siriane kanë thënë se do të nisen menjëherë përgjatë kufirit për të vëzhguar largimin e forcave kurde.

Zona rreth Qamishlit, në të cilën ka popullsi të madhe kurde nuk është përfshirë në marrëveshje, andaj deri më tani nuk janë dhënë detaje se çfarë do të ndodhë atje.

Pas përfundimit të 150 orëve, përkatësisht më 29 tetor, trupat turke dhe ato ruse do të nisin patrullimet e përbashkëta në zonat e përshkruara si “në perëndim dhe lindje të zonës” ku është zhvilluar operacioni ushtarak turk.

Në deklaratën e Rusisë dhe Turqisë po ashtu është thënë se forcat kurde do të “largohen” nga rajoni i Manbixhit dhe qytezës, Tal Rifat.

Presidenti sirian, Bashar al-Assad ka ngritur shqetësime për ndërhyrjen e jashtme në Siri, mirëpo Kremlini ka thënë se ai ka falënderuar Putinin dhe ka shprehur “mbështetjen e tij të plotë për rezultatet e punës si dhe për gatishmërinë e ruajtjes së kufijve sirianë”.

Si ka ardhur situata deri këtu?

Një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka drejtuar një betejë kundër militantëve të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS) në veri të Sirisë për gati katër vjet.

Pjesë e grupit janë Njësitet për Mbrojtjen e Popullit (YPG), milici të cilën Turqia e konsideron organizatë terroriste.

Vetëm dy javë më parë, presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar për tërheqje të trupave amerikane nga Siria. Më vonë Turqia ka nisur një operacion ushtarak kundër kurdëve.

Cili është çmimi i konfliktit?

Kombet e Bashkuara kanë thënë që më shumë se 176,000 persona, duke përfshirë 80,000 fëmijë janë zhvendosur në dy javët e fundit nga verilindja e Sirisë, zonë të cilën jetojnë rreth 3 milionë banorë.

Rreth 120 civilë janë vrarë në betejë, bashkë me 259 luftëtarë kurdë, rreth 196 rebelë të përkrahur nga Turqia dhe shtatë ushtarë turq, sipas grupit monitorues me bazë në Londër, Vëzhguesi Sirian për të Drejta të Njeriut.

Sipas zyrtarëve turq, në territorin e këtij shteti janë vrarë edhe 20 civilë, si pasojë e sulmeve të kryera nga milicia kurde.

Turqia ka thënë një kohë të gjatë se luftëtarët kurdë janë një zgjatim i Partisë Popullore të Kurdistanit (PKK), e cila ka zhvilluar një fushatë brenda Turqisë prej vitit 1980 dhe të cilën Ankaraja, Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian e kanë shpallur organizatë terroriste.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button