GJENDJA E ANTILOPËS

Një mik i moçëm, mendjemprehtë dhe me aftësi të lindur për të sajuar krahasime origjinale, ma përshkruan me kreativitet gjendjen tonë. Me humorin e lindur më thotë: “Jemi si antilopa e dorëzuar përpara tigrit”.

Kur antilopa lodhet gjatë përballjes për jetë a vdekje me tigrin e uritur, e humb ndjenjën e rezistencës (ose më saktë e humb shpresën) dhe pasi shtrihet në tokë duket sikur i thotë tigrit: “As forcë nuk kam dhe as shpresë, prandaj kafshomë ku të duash!”.

“Kështu ka ndodhur edhe me ne” – më thotë ai.

Gjatë përballjes me të keqen njëherë u lodhëm, pastaj humbëm ndjenjën e rezistencës, humbëm shpresën dhe më nuk na bën përshtypje ku na kafshojnë.

“Përse ndodhi e gjithë kjo?“ – e pyes.

Ai ma kthen: “Ndoshta sepse nuk duam të ndryshojmë asnjëherë. Ose: ndoshta kemi bërë ndonjë mëkat dhe ka ardhur koha ta paguajmë çmimin. E keqja është se nuk e dimë kujt i kemi mbetur në hak”.

Kërkoj të ma sqarojë këtë mendim, por ai ma kthen: “As nuk dua ta mendoj më gjatë. Le ta sqarojnë ata që paguhen për të menduar. Mua më është lodhur trupi nga puna e rëndë fizike për ta siguruar mbijetesën”.

I urojmë njëri – tjetrit ditë të mbarë.

Ai, pasi bën disa hapa, kthehet dhe më pyet me të qeshur: “Athua antilopa beson se do të vijë një ditë e mbarë për të?”

Nuk kam përgjigje.

Më duket sikur kthetra të padukshme, si prej tigri, ma trazojnë dhimbjen nëpër trupin e dërmuar. Dhe dua besoj se thellë në qenien time ka mbetur ndonjë grimcë e fshehur shprese.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button