Rama: Nëse do të votonin vetëm gratë, PS do të fitonte 85 deputetë

Kryeministri Edi Rama thotë se Partia Socialiste do të fitonte 85 mandate deputetësh nëse në Shqipëri do të votonin vetëm gratë. Sipas tij, PS është partia më e votuar nga gratë dhe vajzat, e këtë fakt ai e mbështet në sondazhet e bëra nga socialistët, por dhe nga rezultatet e zgjedhjeve të kaluara, transmeton Klan.

Në takimin që pati me gratë e këshillave bashkiakë dhe zv/kryetaret, Kryeministri Rama theksoi se nëse do të votonin vetëm burrat, numri i mandateve të deputetëve që do të fitonte Partia Socialiste do të ishte diku tek 70-74.

“Partia Socialiste është partia më e votuar nga gra dhe nga vajza. Këtë e tregojnë të gjitha anketimet që ne kemi bërë prej disa vitesh. E konfirmojnë proceset zgjedhore. Nëse në Shqipëri do të votonin vetëm gratë dhe vajzat, PS do merrte 85 deputetë vetëm. Po të votonin vetëm burrat, do të ishim rrotë më rrotë ose pak nën rrotë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Ndër të tjera, Kryeministri foli edhe për nevojën e përfaqësimit të grave në zonat periferike. Në këtë aspekt, Rama mori si shembull periferinë e Tiranës.

“Gjëja më shqetësuese për një familje politike si e jona, për një familje politike progresiste, është diferenca dramatike mes përfshirjes së grave në territoret urbane dhe në territoret periferike. Nuk flas për territore rurale mirëfilli sepse përsëri skena është e larmishme, nuk është e njëtrajtshme. Në periferitë e Tiranës situata është alarmante. Sepse jo vetëm kemi struktura ku s’ka asnjë grua, por kemi burra që thonë nuk ka gra këtu ku jemi ne. Se ku shkojnë këta në darkë, se me kë i bëjnë fëmijët këta dhe se kush kujdeset për këta, kjo mbetet një pikëpyetje shumë e madhe me të cilën thonë me vendosmëri se nuk ka gra këtu”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button