Fondacioni “Metamorphosis” dhe “Eurothink” do të organizojnë aktivitete në kuadër të Ditëve të Arsimimit Mediatik

Anëtarët e Rrjetit për arsimim mediatik (RAM) prezantuan ngjarjet që do të zhvillohen në kuadër të ditëve të arsimimit mediatik 2019. Qytetarët do të mund të marrin pjesë në rreth tridhjetë aktivitete të ndryshme nga 22 tetori deri më 15 nëntor, me të cilat aktivitete vendi ynë i bashkohet festimit të Javës Globale të informimit dhe arsimimit mediatik të UNESCO-s, njofton Portalb.mk.

Organizimi i Ditëve të Arsimimit Mediatik 2019 përfshiu dhjetë anëtarë të RAM-së, duke përfshirë edhe Fondacionin Metamorphosis, i cili në partneritet me Qendrën për Strategji Evropiane “Eurothink” do të organizojë ngjarje për të shënuar Javën e Arsimimit Mediatik.

Koordinatorja e Fondacionit Metamorphosis, Violeta Gligoroska vuri në dukje se ata po zbatojnë projektin “KriThink” së bashku me “EuroThink”.

“Crithink.mk është faqja e internetit që e kemi filluar për vetë projektin dhe këtë faqe e konsiderojmë si një burim themelor ku mund të gjenden tekste edukative, analiza, kontroll i fakteve. Tashmë është botuar Doracaku për Arsimim Mediatik, i cili mund të shërbejë si një mjet për organizatat e shoqërisë civile për të ofruar trajnime për qytetarët për arsimimin mediatik”, tha Gligoroska.

Koordinatori i “Eurothink”, Goran Llazarov informoi për ngjarjet që këto dy organizata do të kryejnë në kuadër të Ditëve të Arsimimit Mediatik.

“Më 24 tetor, ne do të kemi një Webinar në internet ku do të flasim hapur për temën e Sigurisë së Internetit. Webinari i dytë do të jetë më 29 tetor me temën e Luftës kundër Gjuhës së Urrejtjes në Rrjetet Sociale. Më 30 tetor, ne do të ofrojmë trajnime për përfaqësuesit e shoqërisë civile në katër tema: Bazat e të menduarit kritik në kontekstin e arsimimit mediatik; Përdorimi i metodologjisë së kontrollit të fakteve; Lufta kundër gjuhës si dhe Njohja e propagandës. Në kuadër të projektit, ne po lançojmë skemën e dytë të granteve. Subgrantistët tanë do të zhvillojnë një ngjarje publike në 13 nëntor në tetë qytete të ndryshme në të gjithë vendin me temën e arsimimit mediatik”, tha Goran Llazarov, koordinator në “Eurothink”.

Fondacioni “Metamorphosis” dhe “Eurothink” gjithashtu do të marrin pjesë në konferencën përmbyllëse më 14 dhe 15 nëntor, që do të mbahet në kuadër të Ditëve të Arsimimit Mediatik.

Më 14 nëntor do të prezantohet hulumtimi i bërë në kuadër të projektit, me 300 studentë nga tre universitete, rreth informimit të tyre, sa mendojnë në mënyrë kritike për arsimimin mediatik.

Më 15 nëntor, do të ketë një panel diskutimi me përfaqësues nga shoqëritë civile, mediat me të cilat do të diskutohet për rëndësinë e arsimimit mediatik si dhe të menduarit kritik.

Marina Tuneva, Drejtore e Këshillit për Etikë në Media në Maqedoni, tha se promovimi i arsimimit mediatik është i një rëndësie të madhe, sepse media luan një rol kryesor në krijimin e një publiku demokratik, të vetëdijshëm dhe kritik.

“Pa kompas moral në gazetari, nuk ka zhvillim të proceseve demokratike. Mediat duhet të jenë në shërbim të interesit publik dhe të informojnë sipas parimeve të profesionit”, tha Tuneva.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button