PSE TA PRESIM TRENIN QË IKU

Shkoi edhe një tren i BE-së. Iku. Po jo në qetësi. Pas vetes e la zhurmën e mediave. Dhe, shakanë e hidhur të kryetarit të Francës – Makronit.

Makroni u tha një jo të madhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Nuk lejoi që këto dy vende të vogla t’i nisin negociatat e gjata për hyrje në BE, ndonëse tërë bota ishte e bindur se kjo ishte punë e kryer – se negociatat do të fillonin. Po Makroni tha se nuk mund të lejojë që BE-ja të zgjerohet për shkak se më së pari do të bëhen reforma brenda BE-së. Pas pengimit “jo-së” së vendosur për Shqipërinë e Maqedoninë ai tha edhe diçka: se do të ishte bizare të pranohet Shqipëria kur aq shumë shqiptarë kërkuan azil në Francë.

Po le  ta kujtojmë vizitën e tij në Serbi, le ta shohim pak si ka kaluar kjo vizitë.

Makroni në Beograd iu drejtua masës së madhe të njerëzve të tubuar  dhe foli me frymëzim:

Ja, pat brohoritur ai, Franca është këtu dhe duke rrahur gjoks e duke treguar me dorë zemrën vazhdoi të thoshte se Serbia është gjithashtu në zemrat tona. Sot e përgjithmonë. Pasoi një reaksion plot emocione në turmë, duke brohoritu: Makrone, serbine!

Qysh atëherë shtypi serb pat shkruar se Makroni e kundërshton zgjerimin e BE-së, por është i disponuar dhe i hapur t’i ndihmojë Serbisë dhe këtë gjatë vizitës së bërë Serbisë ia ka thënë Vuçiqit. Krahas kësaj Makroni, shkruanin mediat serbe, është kundërshtari më i flaktë i fillimit të bisedimeve të BE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut.

Në këtë vizitë në një atmosferë thuajse vëllazërore me siguri Beogradit i janë dhënë premtime të ndryshme lidhur me Kosovën. Kuptohet në dëm të shqiptarëve.

Përveç këtyre pak fjalive vjen edhe një shtojcë:  Putini e ka vizituar Francën. Me këtë rast të dy kryetarët janë takuar dhe kanë biseduar për t’i përmirësuar marrëdhëniet midis shteteve të tyre. Makroni, Putini, Beogradi… Menjëherë t’i kujtojnë lidhjet e moçme që kanë pasur këto tri vende.

Por edhe ambicien e Makronit për t’ia marr vendin e liderit të BE-së Merkelit.

Është shumë interesante kur tha se do të ishte bizare të pranohet Shqipëria kur aq shumë shqiptarë kërkuakan  azil në Francë.

Shumë pikante kjo fjali. Thuajse Shqipëria që është me popullsi e tëra sa një qytet mesatar evropian, madje ka më pak banorë se hapësira urbane e Frankurtit në Majnë. Edhe sikur e tërë popullsia të migronte në Francë as që do ta hetonte kush.

A nuk është një shaka pa kripë? Apo fshihet diçka tjetër prapa saj?

Kjo e dyta do të jetë. Dhe, prapa jo-së së thënë me aq vendosmëri nga Makroni fshihen plane të tjera, si zona e përbashkët ekonomike midis vendeve ballkanike, e ashtuquajtura Norvegjia ballkanike, e cila do të sillej e mbështillej në Ballkan me mundësi pak më të mëdha bashkëpunimi me BE-në dhe ku kryefjalë do të ishte Serbia që na qenka “në zemrat e francezëve”. Një Jugosllavi e re me krejt shqiptarët brenda saj! Ndoshta është kështu ngase dëgjova se Makroni paska thënë se Shqipëria nuk është e thënë që të bëhet ndonjëherë pjesë e Evropës.

Në fakt Franca kështu më shumë e ka fyer tërë Evropën dhe jo aq shumë Shqipërinë dhe Maqedoninë. Se këto dy vende edhe po të mos hyjnë në BE do të gjejnë rrugë të tjera origjinale drejt demokracive perëndimore.

Se nuk është parajsa vetë në BE.

Po të kishte qenë Mbretëria e Bashkuar nuk do të dilte prej saj.

Them se është gabim ta presim trenin që iku, timonin e të cilit ëndërro ta marrë Makroni vetë, pa ortak dhe ta drejtojë kah Moska e Beogradi.

Mua për vete më duken të kota ëndrrat për BE.

Ju si të doni.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button