Zvicra kërkon konfiskimin e pasurisë së paligjshme të zyrtarëve kosovarë

Në kuadër të “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit” Katarina Stoker, nga Ambasada Zvicerane në Kosovë, ka kërkuar që organet e drejtësisë ta konfiskojnë pasurinë e paligjshme të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe atë t’ua kthejë qytetarëve të Kosovës. Njohësit e çështjeve të drejtësisë konsiderojnë se gjyqësorit në Kosovë i mungon vullneti për ta bërë një gjë të tillë, shkruan sot Gazeta “Zëri“.

Ambasadat e huaja në Kosovë edhe një herë tjetër kanë kërkuar që organet e drejtësisë ta konfiskojnë pasurinë e paligjshme të zyrtarëve të shtetit.

Në 10 vjetorin e “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, ndër të tjera përfaqësues diplomatikë në Kosovë u shprehën se populli i Kosovës është viktimë e zyrtarëve të lartë të shtetit, të cilët në mënyrë të jashtëligjshme kanë përfituar në kurriz të tyre. Kështu theksoi përfaqësuesja nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, Katarina Stoker, e cila shtoi se kjo pasuri duhet t’u kthehet qytetarëve.

“Korrupsioni nuk është vetëm çështje etike, por prek në mënyrë sistematike jetën e njerëzve. Kosova deri tash ka pasur sukses të kufizuar në sanksionimin e rasteve të korrupsionit. Pra e kemi një numër të vogël të konfiskimit të pasurisë, zyrtarët përfitojnë nga pasuria e përfituar nga krimi. Është imperativ që pasuria e vjedhur ose e fituar në mënyrë të paligjshme të konfiskohet dhe t’u kthehet qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ajo, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Njohës të çështjeve të drejtësisë në vend vlerësojnë se nuk ka vullnet nga organet e drejtësisë të hetohen dhe të konfiskohen pasuritë e zyrtarëve të lartë të shtetit, për shkak të lidhjes së tyre me politikën dhe me pushtetin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button