ANALIZË:  Më shumë se gjysma e borxhit ‘institucional’ – për taksa komunale, inventar dhe shërbime kontraktuese!

Fatura të maturuara, por të papaguara të rrymës, ujit, ngrohjes, inventar dhe materiale të blera por të papaguara, shërbime kontraktuese të kompletuara, por të papaguara – mbi këto baza institucionet shtetërore, bashkitë, agjencitë, ministritë, shkollat, spitalet kanë borxhe më të mëdha. “Portalb”-i tashmë publikoi se në fund të gjysmës së parë të këtij viti rreth 900 institucione në nivel shtetëror dhe lokal, agjenci, ministri, organe rregullatore, institucione arsimore, shëndetësore, kanë raportuar borxhe të maturuara por të papaguara në vlerë prej 304 milion euro.  Pothuajse gjysma e borxhit të përgjithshëm duhet t’i kthehet sektorit privat, organizatave qytetare dhe joqeveritare, ndërsa edhe vetë sektori publik është pjesë e “rrethit të borxheve” për shkak të borxheve të ndërsjella. 

Sa janë borxhet mbi baza të ndryshme…

Një përqindje mahnitëse prej 55% e borxheve që i kanë institucionet shtetërore, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, janë për shkak të faturave të papaguara të rrymës, ngrohjes, taksave komunale, materialeve dhe inventarit të imët dhe për shërbime kontraktuese. Një nga zërat më të mëdhenj për detyrimet e maturuara dhe të papaguara është zëri “shërbime të tjera aktuale”, ku bëjnë pjesë borxhet e vjetra të Hekurudhave të Maqedonisë ndaj Hekurudhave jugosllave.

Struktura e borxhit sipas llojit të shpenzimeve:

Shërbimet e tjera aktuale: 72.5 milion euro
Shërbime komunale, ngrohje, komunikim dhe transport: 43.0 milion euro
Materiale dhe inventar i imët: 40.2 milion euro
Shërbime kontraktuese: 39.0 milionë euro
Objekte të tjera ndërtimore: 21.6 milion euro
Punësime të përkohshme: 306.389 euro

Miliona euro kapin gjithashtu edhe detyrimet e maturuara dhe të papaguara ndaj sektorit të ndërtimit, kështu që për “objekte të tjera ndërtimore” borxhi arrin pothuajse 22 milion euro, për automjete të blera dhe të papaguara borxhi në fund të tremujorit të dytë ishte 605.000 euro, për makineri dhe pajisje të blera, borxhi i maturuar dhe i papaguar është 4.3 milion euro, ndërsa për objekte ndërtimore ai është edhe 2.1 milionë euro të tjera.  Vetëm në bazë të pagesave të kamatave ndaj kreditorëve vendas që kanë maturuar, por që nuk janë paguar, borxhi është 10.2 milion euro, ndërsa për të njëjtën arsye borxhi ndaj kreditorëve të huaj është 1.1 milion euro. Borxhet e maturuara, por të papaguara për rrogat bazë në fund të gjysmëvjetorit të parë ekonomik kanë arritur në 2.3 milion euro, ndërsa për kontributet e rrogave dhe për sigurimet sociale kanë arritur nivelin prej 3.4 milion eurosh.

Borxhet ndaj sektorit privat kapin shumën prej 147 milion eurosh…

 Analizuar sipas sektorëve, sipas sasisë së detyrimeve të maturuara dhe të papaguara, më lartë janë renditur ndërmarrjet publike me borxh të raportuar prej 114 milion eurosh, e më pas vijnë ndërmarrjet lokale të themeluara nga komunat me 55.2 milion euro, ndërsa në vendin e tretë, siç tashmë raportoi “Portalb”-i, institucionet e shëndetit publik që kanë raportuar borxhe prej gati 51 milion eurosh.

Pothuajse gjysma e borxhit të maturuar e që nuk është paguar nga “llogaritë shtetërore” është ndaj sektorit privat, gjegjësisht detyrimet e përgjithshme të raportuara që nuk janë shlyer brenda afatit të paraparë ndaj sektorit privat, shoqatave qytetare dhe organizatave të tjera jofitimprurëse, në fund të qershorit ka qenë pothuajse 147 milion euro.

Detyrimet e raportuara sipas llojeve të komitentëve:

Detyrimet ndaj sektorit privat, shoqatave qytetare dhe organizatave: 146.8 milion euro
Detyrimet ndaj sektorit publik: 130.7 milion euro
Detyrimet ndaj subjekteve të jashtme: 24.3 milion euro
Detyrimet ndaj personave fizikë: 2.1 milion euro

Pothuajse të gjitha ministritë kanë raportuar detyrime të maturuara por të papaguara, dhe kështu Ministria e Shëndetësisë ka borxh prej 2.5 milion eurosh, Ministria e Punëve të Brendshme 2.3 milion euro, Ministria e Drejtësisë 1.2 milion euro, Ministria e Kulturës 863.000 euro, Ministria e Ekonomisë 348.000 euro, Ministria e Mjedisit Jetësor 314.000 euro, ndërsa borxhe kanë raportuar edhe Ministria e Bujqësisë, Mbrojtjes, Shoqërisë Informatike, Punëve të Jashtme, Transportit dhe Lidhjeve, Vetëqeverisjes Lokale, Financave.

Për nga shuma e detyrimeve të maturuara dhe të papaguara, Komunat e Ohrit, Tetovës dhe të Karposhit janë në “të dhjetëshen” e parë (me tendencë të zvogëlimit të borxhit pas injeksionit financiar të shtetit), por edhe komuna të tjera janë renditur lartë për nga detyrimet që i kanë, dhe kështu në pesëdhjetat vendet e para gjenden edhe komunat: Strugë, Dellçevë, Kërçovë, Dibër, Resnjë, Kumanovë, Gostivar dhe Gjevgjeli. Pothuajse të gjitha pushtetet lokale kanë raportuar detyrime të maturuara, por të papaguara.

Në arsim – përveç shkollave të mesme dhe fillore, edhe institucionet e arsimit të lartë kanë detyrime të maturuara, por të papaguara. Kështu, në vendin e 109-të sipas shumës së borxhit gjendet Fakulteti i Mjekësisë – Shkup, me borxh prej 385.000 eurosh, FSHEI – Shkup ka raportuar detyrime prej 145.000 eurosh, UKdheM – FSHIIKI 83.000 euro, Fakulteti i Teknologjisë dhe Metalurgjisë – Shkup ka detyrime të maturuara dhe të papaguara në vlerë prej 60.000 eurosh, ndërsa Fakulteti i Drejtësisë “Justiniani i Parë” raportoi detyrime prej 53.000 eurosh. Detyrime të papaguara kanë raportuar edhe Fakulteti i Turizmit – Ohër, Fakulteti i Farmacisë – Shkup, Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore – Shkup, Fakulteti i Sigurisë, Fakulteti i Teknologjive të Informacionit – Manastir, Fakulteti i Filologjisë – Shkup, Fakulteti i Bujqësisë – Shkup, Fakulteti Pedagogjik – Shkup, Fakulteti i Arteve Dramatike – Shkup, Fakulteti i Pylltarisë – Shkup dhe të tjera.

Analiza krahasuese e shumës së borxhit në tremujorin e dytë në krahasim me tremujorin e parë, tregon se në tremujorin e dytë ka zvogëlim të borxhit te komunat dhe shfrytëzuesit e buxhetit, ndërsa detyrimet e maturuara dhe të papaguara janë rritur te ndërmarrjet publike, institucionet shëndetësore publike, ndërmarrjet lokale të formuara nga komunat.

Analiza e të dhënave tregon gjithashtu se, përveç detyrimeve të maturuara dhe të papaguara, borxhi i pamaturuar këtë vit është pothuajse 100 milion euro, ndërsa vitin e ardhshëm ai duhet të zvogëlohet në 74 milion euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button