Zarfet nga Serbia: Janë liruar nga spitali 12 pacientët në Kosovë

Dymbëdhjetë pacientët e shtrirë në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, që kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi që janë ankuar për reaksione alergjike teksa po verifikonin zarfet me vota të ardhura nga Serbia, janë liruar nga spitali, kanë bërë të ditur zyrtarë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, njofton REL.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Klinikës Infektive, Linda Ajazaj-Berisha, tha për Radion Evropa e Lirë se pacientët janë liruar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore.

“Gjendja shëndetësore, në momentin kur i kemi liruar pacientët, ka qenë e mirë. Ne i kemi përjashtuar sëmundjet apo shkaktarët infektivë. Me të tjerat mbetet të merren organet tjera të hetuesisë që kanë filluar me procedura”, tha Ajazaj-Berisha.

Të dielën, më 13 tetor, teksa po hapnin dhe verifikonin votat e ardhura nga Serbia në zarfet e mbyllura, fillimisht kanë qenë 20 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që janë ankuar për gjendjen e tyre shëndetësore dhe më pas 12 prej tyre kanë përfunduar të shtrirë në spital.

Prokuroria e Kosovës po i vazhdon hetimet pas raportimeve se te këta persona janë shfaqur reaksione alergjike pas hapjes së këtyre zarfeve.

Mostrat e zarfeve me votat nga Serbia, sipas Prokurorisë së Kosovës, kanë përfunduar për ekzaminim në një laborator të një shteti evropian, por nuk tregohet se në cilin vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button