Takimi me Pendarovskin, liderët arritën konsensus për rrugëtimin drejt BE-së dhe për zgjedhje më 12 prill të 2020-s (VIDEO)

Në takimin me presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Stevo Pendarovski, liderët e partive politike kanë arritur konsensus për të vazhduar rrugëtimin për anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian (BE) e NATO dhe më 12 prill të 2020-s të realizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare, transmeton Portalb.mk.

Pendarovski ka deklaruar se në pjesën e parë të takimit, liderët kanë riafirmuar qëndrimin për anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian (BE), pavarësisht asaj se kush do të jetë në pushtet dhe opozitë.

“Kemi konsensus se i riafirmojmë këto kushte dhe se nuk mendojmë për alternativë tjetër. Kushdo që të jetë në pushtet sot, nesër, në vitet që vijnë, dhe kushdo që vjen në pushtet dhe opozitë, të gjithë morën obligimin se do të punojnë. Varësisht pozitës që do ta kenë në momentin e dhënë, do të punojnë në anëtarësim të shpejtë në BE”, tha Pendarovski.

Riafirmimi i rrugëtimit evropian i RMV-së, siç deklaroi Pendarovski, nënkupton:

  • Pavarësisht vendimit të Këshillit të BE-së, qëndrojnë prapa asaj që RMV-ja sa më shpejtë të anëtarësohet në BE,
  • Partitë nuk kanë problem me metodologjinë e mundshme që mund ta implementojë BE-ja për procesin e zgjerimit,
  • Nuk do të jetë problem, edhe nëse metodologjia e re nënkupton kthim në kapitujt, kushtet në të cilat tashmë janë përmbushur. Kjo do të thotë kthim prapa në procesin e anëtarësimit dhe
  • Të gjithë janë për “JO” për alternativë eventuale  në procesin e përfshirjes dhe anëtarësimit të plotfuqishëm. Liderët nuk duan alternativë tjetër, përveç se si anëtarësim i plotfuqishëm në BE, sepse siç sqaroi Pendarovski, kriteret bazike të BE-së thonë se çdo shtet mund të bëhet anëtare e BE-së, në momentin kur do t’i përmbush kushtet.
Stevo Pendarovski

Pas kësaj konference, është vazhduar me pikën e dytë – zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u kërkuan dje nga kryeministri, Zoran Zaev, si opsion i dhënies së përgjegjësisë për mosnisjen e negociatave anëtarësuese me BE-në në tetor.

Pendarovski deklaroi se për të është me rëndësi që zgjedhjet të jenë demokratike, dhe jo ajo se a do të mbahen dhe kur do të mbahen të njëjtat.

“Kompetencë e imja nuk është të tregojë se a duhet apo jo të kemi zgjedhje parlamentare dhe kur do të ketë, sepse ato kur do të kenë 61 vota, edhe bëjnë qeveri edhe e lëshojnë qeverinë. Megjithatë, qëndrimi im është se ato duhet të jenë në përputhje me parimet demokratike, të cilat i kemi pasur për vite me radhë, për fat të keq një periudhë nuk i kemi pasur, se ajo duhet të jetë me konsensus të partive në pushtet dhe në opozitë”, tha Pendarovski. 

Zaevi - Mickoski - Ahmeti - Sela - Gashi - Kasami - Thaçi
Zaevi – Mickoski – Ahmeti – Sela – Gashi – Kasami – Thaçi

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 12 prill të 2020-s 

Në një tryezë, u ulën lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, lideri i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela, lideri i Alternativës, Afrim Gashi, lideri i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi dhe lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.

Ata ranë dakord, që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 12 prill të 2020-s, për çfarë Qeveria teknike të formohet më 3 janar të 2020-s.

Zaevi ka propozuar që zgjedhjet të mbahen që në dhjetor, por kjo është refuzuar, për shkak se Kuvendi duhet të jetë funksional për ta ratifikuar Protokollin e anëtarësimit të RMV-së në NATO. Ratifikimi në Kuvendin e RMV-së, duhet të ndodh pasi i njëjti të ratifikohet nga 29 shtetet anëtare të NATO-s.

Liderët kanë shprehur vlerësimet edhe për procesin e Regjistrimit të Popullsisë, i cili qe paralajmëruar se do të ndodh gjatë muajit prill të 2020-s. Sipas tyre, ai është proces teknik dhe mund të mbahet në prill.

Pas takimit në Vodno, Zaevi është takuar me partitë e koalicionit për të definuar aktivitetet e mëtutjeshme si koalicion.

Takimet erdhën një ditë pasi Zaevi si opsion të dhënies së përgjegjësisë për mosfillimin e negociatave me BE-në, e dha shkuarjen në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo u kërkua edhe nga opozita.

Opsioni i Zaevit është përshëndetur edhe nga dy partitë në pushtet, BDI-ja dhe Alternativa.

“Mendoj që është një akt moral, faji nuk qëndron në anën e vendeve aspirante në këtë rast për të gjetur dhe zgjidhja më e mirë është para qytetarëve të bëhet ofertë e re”, tha Ali Ahmeti.

“Alternativa kërkon që sa më shpejt të shpallen zgjedhje të parakohshme dhe ta verifikojmë verdiktin e qytetarit për përfaqësuesit e dëshiruar”, tha Afrim Gashi. 

Reagime ka pasur, se në zgjedhje nuk duhet të shkohet pa ndryshim të Kodit Zgjedhor, pa pastrim të Listës Zgjedhore dhe pa realizim të Regjistrimit të Popullsisë – proces ky që u paralajmërua për në prill të 2020. Ka pasur edhe nga ata, të cilat zgjedhjet i shohin si shpenzim i majmë i buxhetit.

Kjo vjen pasi, Këshilli i BE-së, dhënien e datës për nisjen e negociatave me RMV-në dhe Shqipërinë e shtyu për në maj të 2020-s, për shkak se liderët nuk arritën kompromis gjatë samitit dyditor që u mbajt në tetor. Samiti dyditor, erdhi pas Mbledhjes ministrore që u mbajt në Luksemburg, ku nuk u arrit kompromis se, a duhet a po jo t’i fillojnë negociatat RMV-ja dhe Shqipëria, për çfarë, vendimin ia kaluan liderëve.

Rrjedhja e diskutimit në Samit ka vijuar sipas skemës siç vijon më poshtë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button