Zaev: Zgjedhje të parakohshme parlamentare në RMV (VIDEO)

Në konferencën e sotme, Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas tij, është e drejtë e qytetarëve të vendosin se në çfarë rruge duan të vazhdojnë, transmeton Portalb.mk.

“Deri sot isha i mendimit që vendi ynë meriton të shohë përpara. Në këtë periudhë, të motivuar nga sukseset tona eurointegruese, e kemi ndjerë këtë, edhe në zhvillimin ekonomik, në vendet e reja të punës, zhvillimin industrial, reformat që ndodhën në vend. Por gabim historik është bërë nga Unioni. Andaj duhet populli të vendosë, a qëndrojmë të gjithë në rrugën e vërtetë. Besoj se qëndrojmë, në rrugën e integrimit, në rrugën që deri sot na ka motivuar, që të ecim përpara. Sepse alternativë tjetër përveç NATO-s dhe BE-së nuk kemi. Andaj ndryshoj qëndrim dhe kërkoj zgjedhje të parakohshme, të mos humbasim kohë, sepse është e drejtë dhe vendim i të gjithëve”, tha Zaev.

Zaev njoftoi se ky do të jetë qëndrimi i tij gjatë takimit të liderëve nesër, në takim me presidentin Pendarovski. Ai tha se nuk jep dorëheqje, por do të largohet nga funksioni sipas afateve ligjore të Marrëveshjes së Përzhinës.

“Shumë alternativa kam pasur në mendje. Unë e kam ndjerë zhgënjimin e popullit tim, dhe atë krenari që e kemi të gjithë. Por unë nuk kam të drejtë të ndaloj së luftuari, ne e duam vendin tonë dhe popullin tonë. Ky popull na ka dhënë këtë mandat dhe këtë nder që të udhëheqim, dhe ky popull do vendos tani, a do të vazhdojmë këtë rrugë. Nëse po, unë kërkoj nderin dhe mandatin, që të vazhdojmë këtë rrugë. Kemi gabime, por nuk ka rrugë tjetër. Gjithçka tjetër është rrugë pa dalje”, tha Zaev.

Ky qëndrim vjen pas vendimit në Samitin e BE-së dje, ku RMV-ja nuk siguroi datë për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian.

Samiti dyditor, erdhi pas Mbledhjes ministrore që u mbajt në Luksemburg, ku nuk u arrit kompromis se, a duhet a po jo t’i fillojnë negociatat RMV-ja dhe Shqipëria, për çfarë, vendimin ia kaluan liderëve. Epilogun e mbledhjes ministrore, jo në favor të të dy shteteve pretendente dhe për politikën e BE-së, e kanë ndikuar:

  • Franca – e cila ka qenë kundër dhënies së datës për të dy shtetet, për shkak të mospërmbushjes së reformave,
  • Holanda – e cila ka kërkuar që të dy shtetet të trajtohen ndarazi, e jo si pako, për shkak, se ajo është e bindur për RMV-në, e kurse jo për Shqipërinë, dhe në fund
  • Finlanda –  e cila si kryesuese me BE-në, ka kërkuar që paralelisht me procesin e dhënies së datës, të zhvillohen reforma në BE – futja e metodologjisë së re të procesit të zgjerimit, ndërkohë që mbledhja ndërqeveritare të mbahet në gjysmën e parë të vitit 2020-s.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button