Lëvizja Besa: Vendi në krizë nga dita e sotme, sa më shpejtë duhen zgjedhje të parakohshme

Lëvizja Besa ka reaguar për mos marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në. Lideri i kësaj partie, Bilall Kasami, tha se kjo qeveri ka dështuar dhe duhet të japë dorëheqje, për të shkuar pastaj në zgjedhje të parakohshme parlamentare, njofton Portalb.mk.

“Përgjigja negative për marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në vërtetoi edhe njëherë dështimin e kësaj Qeverie. Edhe pse kjo qeveri erdhi me premtime të shumta, ajo thuajse nuk është duke realizuar asgjë dhe vendin e çoi shumë hapa prapa. Lëvizja BESA, kohë më parë pati paralajmëruar se nuk është bërë aq sa duhet që ne të marrim datën për fillimin e negociatave. Nga dita e sotme, vendi është në krizë shumë të thellë dhe kapërcimi i kësaj krize zgjidhet duke dhënë dorëheqje kolektive ky kabinet qeveritar dhe vendi sa më shpejt të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha Kasami.

Kasami tha se dështimet e qeverisë ishin shumë më të mëdha sesa gatishmëria e disa vendeve evropiane për të na pranuar në BE.

“BESA, edhe pse parti opozitare, gjatë gjithë kohës u ka bërë thirrje instituciоnеve të BE-së që gjatë vendimarrjes për rrugëtimin e më tutjeshëm të vendit drejt BE-së, të kenë parasysh interesin dhe orientimin euro-atlantik të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, pa dallim përkatësisë së tyre etnike. Por si duket edhe njëherë dështimet e qeverisë ishin shumë më të mëdha sesa gatishmëria e disa vendeve evropiane për të na pranuar në BE”, tha Kasami.

Ai tha se krizën e thellë në të cilën gjendet Maqedonia e Veriut pas dështimit të radhës të kësaj qeverie e tregon më së miri edhe ftesa e presidentit për takim liderësh ditën e diel. Ai njoftoi se Lëvizja BESA qëndrimin e saj për daljen nga kriza do ta paraqesë edhe në takimin e liderëve dhe do të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button