Prelud

Çdo dhimbje asht e bardhë.
çdo vdekje asht jetë.
çdo ripërtrirje (mendo ringjalljen!) a vdekja njejtë.
Post tenebras lux.*

njeriut si mbetet asgja,
veç me kundru qiellin atje lart,
e fort n’zemër ta përaqfojë
të vetmen të vërtetë,
(ta pranojë!) se veç qielli reflektohet mbi tokë,
veç atij i lejohet ngjyrën ta ngjisi mbi ujë.

Njeriut pas kësaj si mbetet ma asgja.
veç kokën ul
dhe tokën puth.
këpucët heq,
hapat lehtë i hedh
“Unë shoh” i vjen të këndojë, “Unë Prek, Unë Ndjej, Unë Dëgjoj”.
“Unë Shoh, unë Prek, unë Ndjej, unë Dëgjoj,
Unë Shoh, Unë Prek, Unë Ndjej, Unë Dëgjoj,
Unë Shoh….”
dhe me erën lehtë fishkëllejnë
Këngën e lindjes, Këngën e t’pames ( kujton Këngën e vdekjes!).

Çdo mall asht i bardhë!
Çdo natë asht e bardhë (shiko hënën!).
Çdo ndarje asht në të bardhë (kujto agimin, në daç muzgun, në daç atë dorën!)

Çdo gja asht e bardhë
Si asht njeriu.

Ai dhe Guri
të vetmet gjurmë e një buzëqeshje të jetuar në nji kohë,
të vetmet gjurmë që i preku era, e mbetën t’bardha.

*lat. Pas errësirës (shpresoj) dritë.

Shkruan: Nurie Emrullai

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button