fbpx

RMV, pensionistët s’do të mund të punojnë në sektorin publik dhe privat, alarmohet për mungesë të mjekëve amë

Mundësia ligjore për të vazhduar marrëdhënia e punës pas përmbushjes së kufirit për pensionim për shkak të moshës do të kufizohet dhe do të vlejë edhe për sektorin publik edhe për atë privat, ka thënë ministri për shoqëri informatike dhe administratë Damjan Mançevski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve par atë se deri ku kanë arritur përgatitjet e ndryshimeve ligjore, njofton Sdk.

“Do jetë e detyrueshme edhe për sektorin publik edhe për atë privat, me përjashtime të caktuara të këtyre rregullave ku mund të ketë problem”, ka thënë Mançevski.

Në pyetjen si kjo do të realizohet, duke pasur parasysh që mungesë e kuadrove në fusha të caktuara, Mançevski ka thënë që nuk ka më detaje dhe ka udhëzuar përgjigjet të kërkohen në Kuvend, për shkak se këto ndryshime janë në bazë të propozimit të një grupi deputetësh.

“Çfarë lidhje ka kjo me mbrojtje nga diskriminimi, disa shtete mund të përcaktojnë kufi më të lartë për pensionim”, ka thënë Mançevski, si përgjigje për pyetje gazetari nëse kjo bie ndesh me parimin e mos-diskriminimit në bazë të moshës, nëse ndokush është i aftë për punë të kontribuojë në zhvillim të shoqërisë.

Se po përgatiten ndryshime të këtilla, para disa ditësh e kanë bërë të ditur edhe ministrja për punë dhe politikë sociale Milla Carovska dhe kryeministri Zoran Zaev. Carovska ka thënë që me dispozitat e tanishme ligjore mundësohet kush ka dëshirë ta vazhdojë marrëdhënien e punës edhe pasi të mbush 64 apo 67 vite dhe që kjo do të vlejë për administratën publike, për shkak se me vite flitet që ajo është tepër e ngarkuar dhe të lirohet hapësirë për të mundësuar punësimin e të rinjve . Ajo tha që kjo do të vlejë për sektorin publik, ndërsa mbi atë privat nuk mund ta kufizojnë sektorin e biznesit nëse merret vesh me ndonjërin t’i shkurtohet e drejta të angazhohet. Nuk zbuloi më tepër detaje, me arsyetim që janë duke përgatitur pako me ligje në bazë të propozimit të një grupi deputetësh.

Kryeministri Zoran Zaev, në anën tjetër, ka thënë që deputetët kanë të drejtë të propozojnë ndryshime ligjore dhe që kur t’i pranojnë si qeveri do të prononcohen për ato, por se zgjidhjet e këtilla nuk mund të vlejnë për sektorin publik, e të mos vlejnë për sektorin privat.

Këto deklarata kanë shkaktuar reagime të forta para se gjithash te mjekët, në kushte kur shëndetësia ka mungesë serioze të kuadrove në të gjitha nivelet e mbrojtjes shëndetësore.

Kryetarja e Shoqatës së mjekëve privat (ShMPRM) Lilija Çollakova-Dervishova, thotë se ndryshime të këtilla nuk duhet të miratohen pa konsultime, për arsye se pjesë e madhe e mjekëve në shëndetësinë primarë janë të moshës mbi gjashtëdhjetë vjeç dhe rajone të plota do të mbesin pa mjekë amë.

Kryetarja e Odës së mjekëve Kalina Stardellova-Grivçeva, thotë që nga shërbimet e odës ka kërkuar të nxjerrin shifra të sakta sa mjekë nga të gjitha nivelet e mbrojtjes shëndetësore janë në moshë për dhe para pensionimit dhe si këto ndryshime do të ndikonin në funksionimin e këtij sektori.

“Kërkova shifra edhe për mbrojtje primare, sekondare edhe për atë terciare të cilat do t’ia dorëzojmë ministrit të shëndetësisë, për të paralajmëruar se çfarë probleme mund të paraqiten nëse këto zgjidhje ligjore miratohen. U rekomandoj edhe universiteteve të bëjnë të njëjtën”, thotë Stradelova-Grivçeva.

Si një nga zgjidhjet për të kapërcyer mungesën e kuadrove në shëndetësi, e për ta shfrytëzuar përvojën e mjekëve që janë në pension, Ministria për shëndetësi këtë verë bëri ndryshime ligjore me të cilat u mundësoi institucioneve publike shëndetësore që me kontrata të angazhojnë një pjesë të mjekëve të pensionuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button