Samiti i BE-së dje s’ka diskutuar për RMV-në dhe Shqipërinë, Zaevi me video-mesazh (VIDEO)

Pas mesnate, ka mbaruar dita e parë e Samitit të liderëve të Bashkimit Evropian (BE). Pritshmëritë ishin, se dje mund të kishte vendim apo diskutim për dhënien e datës për nisjen e negociatave të BE-së me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërinë, kjo gjë dje nuk ka ndodhur, transmeton Portalb.mk.

Samiti do të vazhdojë sot, në ora 9:30, ku pikë kryesore e rendit të ditës është korniza financiare e BE-së, ndryshimet klimatike dhe agjenda strategjike e BE-së në prani të presidentes së ardhshme të Komisionit Evropian (KE), Ursula fon der Lejn.

Kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev edhe sot do të realizojë takime me përfaqësues të BE-së, për çfarë lobimi do të vazhdojë deri në minutat e fundit. Nëpërmjet një video-mesazhi të publikuar në rrjete sociale në orët e vona të ditës së djeshme, ka dërguar mesazh deri te qytetarët e RMV-së, duke thënë se reformat askush nuk mund të na i marrë.

“Askush nuk mund të na i marrë reformat dhe ndryshimet të cilat bashkërisht i kemi arritur, ndërkaq nga kjo pasiguri do të dalim vetëm më të fuqishëm dhe më me përvojë”, tha Zaevi.

Sipas mediave, thuhet se çështje diskutimi është ajo, se a do të futet në rend dite edhe sot procesi i zgjerimit, sepse, presidenti i Francës, shtet ky që është shprehur kundër nisjes së negociatave, Emanuel Makron ka refuzuar çfarëdo progresi në zgjerimin derisa nuk ndryshon metodologjia e procesit negociues, reformë e cila mund të zgjas me vite dhe për të cilën Parisi nuk jep përgjigje konkrete se si duhet të duket.

Kryeministri i Finlandës, Anti Rine ka porositur, se shpreson që liderët të kthehen në çështjen e datës gjatë ditës së sotme, por nuk ka siguruar për të njëjtën.

Ndërkaq, presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk ka deklaruar se akoma ka vende anëtare që janë skeptik në lidhje me çështjen e hapjes së negociatave të pranimit me Maqedoninë dhe Shqipërinë.

Samiti dyditor, vjen pas Mbledhjes ministrore që u mbajt në Luksemburg, ku nuk u arrit kompromis se, a duhet a po jo t’i fillojnë negociatat RMV-ja dhe Shqipëria, për çfarë, vendimin ia kaluan liderëve. Epilogun e mbledhjes ministrore, jo në favor të të dy shteteve pretendente dhe për politikën e BE-së, e kanë ndikuar:

  • Franca – e cila ka qenë kundër dhënies së datës për të dy shtetet, për shkak të mospërmbushjes së reformave,
  • Holanda – e cila ka kërkuar që të dy shtetet të trajtohen ndarazi, e jo si pako, për shkak, se ajo është e bindur për RMV-në, e kurse jo për Shqipërinë, dhe në fund
  • Finlanda –  e cila si kryesuese me BE-në, ka kërkuar që paralelisht me procesin e dhënies së datës, të zhvillohen reforma në BE – futja e metodologjisë së re të procesit të zgjerimit, ndërkohë që mbledhja ndërqeveritare të mbahet në gjysmën e parë të vitit 2020-s.

Ndërkaq, eurokomisari për Zgjerim, Johanes Han ka porositur që liderët të gjejnë mënyrë për miratim të datës.

Opozita në RMV, Aleanca për Shqiptarët dhe VMRO-DPMNE-ja janë shprehur skeptike për atë, se Qeveria e RMV-së meriton marrjen e datës.

Paraprakisht, hapjen e negociatave e ka rekomanduar Komisioni Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button