15.000 amendamente kundër branitellave

Mbi 15.500 amendamente ka përgatitur BDI për bllokim të Propozim Ligjit për branitellat. Këtë e paralajmëroi kordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferi, pas votimit për futjen në rend dite me procedurë të shkurtuar të këtij propozim ligji.

“Për të thyer kureshtjen e të gjithë atyre që kanë manipuluar me numrin e amendamenteve të mundshme për faktin që në procedurë të shkurtuar debati bëhet në komisionin amë në debatin për amendamentet, unë dua të paralajmërojë që BDI përgatitet që të parashtrojë për këtë propozim ligj mbi 15.000 amendamente, ose më saktë nëse doni 15.520 e disa amendamente gjë që në rrugë institucionale për të thyer të gjitha dilemat ne do të shfrytëzojmë çdo mënyrë institucionale për të parandaluar këtë iniciativë që edhe njëherë ritheksoj është në kundërshtim me Raportin e Progresit e RM për aderim në BE” – tha Xhaferi.

Megjithatë, paraprakisht deputetët opozitar shqiptar kërkuan heqjen e këtij propozim ligji nga rendi i ditës me procedurë të shkurtuar, pasi me këtë jo vetëm që thyhet rregullorja, por edhe i njëjti sjell frymën dhe atmosferën e vitit 2001 në Maqedoni. Me vërejtje të tillë doli deputeti i PDSH-së Ziadin Sela.

“Në qoftë se ju mendoni se ky ligj nuk është kompleks, unë mendoj që ju jetoni në një realitet tjetër. Në qoftë se mundoheni me arsyetimet se ky ligj kontribuoka heqjes së atmosferës të vitit 2001, ta dini se me këtë ligj ju riktheni atmosferën e vitit 2001. Janë vetëm lojë fjalësh që nuk i beson askush, dhe ju si kryetar parlamenti duheshte që aspak të mos lejoni që të diskutohet për këtë ligj në parlament dhe me që ju këtë e lejuat unë ju bëj thirrje deputetëve që të mos e votojnë këtë ligj, të mos i prishin rregullat të cilat vetë i kanë vendosur. Mos hapim tema të tilla komplekse që i takojnë periudhës së vitit 2002 kur bëheshin kompromise ndërmjet popujve të Republikës së Maqedonisë. Në qoftë se doni të hapim tema të tilla ne jemi dakord. Ne do të hapim tema të tjera më të rëndësishme se kjo. Le të diskutojmë të sjellim demokracinë e mirëfilltë konsenzuale në parlamentin e Maqedonisë dhe pastaj të ju shohim se si do sillni ligje të këtilla” – tha Sela.

Në vijë të ngjashme ishte edhe deputeti i RDK-së opozitare, Izet Zeqiri i cili debatin e deritanishëm për këtë propozim ligj e cilëson si teatër të partnerëve qeveritar.

“Unë mendoj se është e papranueshme që ky ligj të futet në procedurë parlamentare, mendoj se kryetari i parlamentit ka një përgjegjësi se gjatë kësaj procedure të këtij ligji mendoj se është shkelur edhe neni 90 i cili thotë se gjatë diskutimit nga ana e deputetëve të respektohet edhe dinjiteti i parlamentit. Nga mënyra se si është diskutuar në këtë komision jo vetëm që nuk është respektuar dinjiteti i kuvendit, por ka qenë një teatër ku deputetët me heshtje mundoheshin ta pengojnë këtë ligj. Mendoj se është e papranueshme për këtë koalicion qeveritar që të luhet me qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Besimin si qeveri e keni marrë që të silleni dhe të udhëheqni politikë me partneritet, jo VMRO të udhëhiqet me strategji sulmuese, kurse BDI të udhëhiqet me strategji mbrojtëse” – tha Zeqiri.

Ndryshe, me 79 vota pro, 11 kundër dhe 2 të përmbajtur ky Propozim Ligj u fut në rend dite me procedurë të shkurtuar, në seancën e 45të të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button