Diskutim i hapur me të rinjtë për Zotin, Kosovën dhe Perëndimin

Organizata Kosovo 2.0 e ka organizuar një diskutim të hapur me të rinjtë me temën: Zoti, Kosova dhe “Perëndimi”.

Para se të fillojë ky diskutim, aktualisht është duke u shfaqur dokumentari “The Story of God” i aktorit dhe regjisorit amerikan Morgan Freeman që flet për Zotin dhe të gjitha religjionet e botës.

Cila është arsyeja e organizimit të këtij diskutimi me të rinjtë pikërisht me këtë temë ka treguar koordinatorja e projekteve në Kosovo 2.0, Gresa Smolica.

“Ky diskutim që po zhvillohet sot mbahet në kuadër të programit ‘Lokomotiva’ dhe përmes të cilit ne kemi targetuar disa të rinj për të qenë pjesë e një sërë diskutimesh dhe punëtorish ku i sfidojmë disa të vërteta të fiksuara në shoqërinë tonë”, transmeton KlanKosova.

“Përmes këtij programi kemi targetuar katër tema për të cilat po diskutojmë duke përdorur edhe produktet multimediale – filmat, dokumentarët, fotografitë dhe kështu me radhë. Janë katër tema që i trajtojmë përmes këtyre diskutimeve – gjinia, religjion, raca dhe përkatësia etnike”.

“Sot po flasim për religjionin, ku paraprakisht jemi duke e shfaqur dokumentarin e Morgan Freeman që eksploron nëpër religjione të ndryshme dhe mundohet të gjejë ekzistencën e Zotit. Në të njëjtën kohë, ka edhe për qëllim që të tregojë për tolerancën fetare mes religjioneve”.

“Më pas, do të vazhdojmë diskutimin me dy të ftuarit tanë, profesorin Ardian Gola që ligjëron në Universitetin e Prishtinës dhe Skender Përteshin që është hulumtues në QKSS”.

Por, pse janë zgjedhur pikërisht këto katër tema për diskutim?

“Temat janë përzgjedhur para se të fillojë programi. E kemi parë se këto katër tema sillen rreth disa të vërtetave të fiksuara që edhe kanë vendosur norma në shoqërinë tonë. Janë pikërisht të rinjtë, që në mënyrë indirekte, kanë rënë pre e këtyre të vërtetave”.

“Ideja është që duke diskutuar për to të nxisim mendimin kritik të të rinjve dhe të njëjtën kohë t’ju tregojmë se ka edhe pikëpamje të tjera që duhet t’i eksplorojmë dhe sfidojmë dhe më pas duke i ditur të gjitha këto të formësojmë mendimet tona”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button