Komisioni Evropian kërkon qëndrueshmëri financiare të OJQ-ve, qeveria ende nuk ka gjetur zgjidhje

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ende nuk e ka plotësuar kriterin e caktuar nga Komisioni Evropian në Raportin për vendin publikuar në maj, sa i përket gjetjes së mënyrës adekuate për qëndrueshmëri financiare të organizatave joqeveritare (OJQ). Reformat në shoqërinë civile janë pjesë e reformave më prioritare që ka kërkuar Brukseli në sferën e demokracisë, që Maqedonia të ecë përpara në kyçjen e saj në familjen evropiane, shkruan Portalb.mk.

Në Raportin e Komisionit Evropian thuhet se “Qeveria duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme për të siguruar qëndrueshmërinë financiare të OJQ-ve, të tilla si harmonizim më i gjerë i tatimeve dhe financimi i parashikueshëm publik”.
OJQ-të e konsultuara nga Portalb.mk sugjerojnë që duhet krijuar një model transparent dhe i besueshëm i financimit nga ana e shtetit duke krijuar një fond të veçantë për zhvillimin institucional të OJQ-ve dhe për bashkëfinancim të projekteve të BE-së, si dhe gjetja e një modeli të përshtatshëm për trajtimin e taksave të OJQ-ve, e gjitha kjo duke mos cënuar pavarësinë e OJQ-ve.

Drejtori programues i “Metamorfozis”, Filip Stojanovski / foto: Vanço Xhambaski

Filip Stojanovski nga Fondacioni Metamorphosis thotë se ende nuk është gjetur mënyrë adekuate për qëndrueshmëri financiare të OJQ-ve por se kemi shembuj që mund të ndjekim. Ai thotë se duhet gjetur një zgjidhje që i përshtatet më shumë kushteve dhe nevojave tona.

“Në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian, përfshirë ato që janë bërë anëtare të kohëve të fundit, të tilla si Kroacia, është krijuar një mekanizëm për të alokuar një pjesë të buxhetit të alokuar për sektorin civil përmes një procesi transparent dhe të përgjegjshëm që përfshin vetë OJQ-të. Krijimi i mekanizmave të tillë është i nevojshëm për të parandaluar problemet e kaluara që përfshijnë formimin e qëllimshëm të organizatave nga partitë ose njerëzit afër qeverisë për pastrim parash. Ka mënyra të ndryshme në të cilat mund të arrihet ky qëllim, dhe baza për krijimin e tyre është një debat i gjerë publik që do të përcaktojë situatën dhe do të marrë parasysh llojet e ndryshme të zgjidhjeve, për të zgjedhur atë që i përshtatet më së miri kushteve dhe nevojave tona”, thotë Stojanovski.

Formimi i Këshillit për Bashkëpunim dhe Zhvillim mes Sektorit Civil dhe Qeverisë shihet si një ndër hapat që është realizuar por që ende nuk ka gjetur mënyrë për të siguruar qëndrueshmërinë financiare të OJQ-ve.

Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkut thotë se ky ishte një hap i rëndësishëm por se OJQ-të ende financohen nga fonde të huaja.

Uranija Pirovska
Uranija Pirovska

“Hapi i parë ishte krijimi i këtij këshilli, që ishte shumë e rëndësishme për Brukselin, sepse ka 16 anëtarë nga Shoqëritë Civile dhe 15 anëtarë nga institucionet, që do të thotë se shumica janë anëtarë nga OJQ-të. Këshilli kryesohet edhe nga prezantuesi i OJQ-ve, pra presidenti i këshillit është drejtoresha e Fondacionit të Shoqërisë së Hapur Maqedoni, kështu që po shkon në drejtimin e duhur, do të shohim tani për vitin e ardhshëm se si kjo do të pasqyrohet në fondet që do të ndajë Qeveria, sa i përket qëndrueshmërisë së sektorit civil. Përndryshe ju e dini që ne, OJQ-të kryesisht jetojmë me fonde të huaja”, thotë Pirovska.

Nga ana tjetër, Ermira Sulejmani nga Sekretariati për çështje evropiane thotë se Qeveria kupton nevojën dhe rëndësinë e bashkëpunimit me organizatat civile dhe pranon se krijimi i Këshillit është një ndër hapat që qeveria ka ndërmarrë.

“Qeveria, që nga fillimi i mandatit të saj, plotësisht kupton nevojën dhe rëndësinë e bashkëpunimit me organizatat civile dhe kyçjen e tyre të përgjithshme në procesin e krijimit të politikave, përfshirë edhe politikat që janë të rëndësishme për integrimin në BE. Prandaj edhe Plani 3-6-9 përmbante masa që ishin drejtuar kah vendosja e themeleve për avancimin e bashkëpunimit me organizatat civile si që ishte vendosja e Këshillit funksional për bashkëpunim dhe zhvillim me sektorin civil dhe miratimi i Strategjisë për bashkëpunim me sektorin civil me plan Aksionar për periudhën 2018 – 2020”, thotë Sulejmani.

Drejtoresha e Fondacionit për Shoqëri të Hapur, Fani Karanfillova Panovska

Fani Karanfilova Panovska nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur thotë se ndonëse janë ndërmarrë disa hapa për sigurimin e qëndrueshmërisë financiare të OJQ-ve, të njëjtat nuk janë përfunduar plotësisht. Ajo thekson se ndryshimet në politika dhe rregullore, janë në vazhdim e sipër.

“Ajo që mund të themi sot nga ky këndvështrim është se janë ndërmarrë disa hapa që natyrisht nuk janë përfunduar plotësisht, duke pasur parasysh që sigurimi i qëndrueshmërisë për funksionimin e OJQ-ve përfshin disa segmente, duke filluar nga nevoja për të fituar siguri juridike për punën e tyre,  siguri juridike për lirinë e fjalës dhe siguri juridike në lidhje me punën e tyre të përditshme, financiare dhe të tjera. Disa nga këto çështje, përkatësisht ndryshimet në politika dhe rregullore, janë në vazhdim e sipër”, thekson Karanfilova.

Karanfilova thotë se e rëndësishme është që duhet të krijohet një model transparent dhe i besueshëm i financimit me para të shtetit dhe një fond i vetëm i zhvillimit institucional për OJQ-të.

“Ne mendojmë se paraja publike nënkupton paratë që ekzistojnë aktualisht në buxhetin e RMV-së ose në buxhetet e komunave dhe janë të destinuara për OJQ-të, pasi mënyra se si programohen paratë dhe mënyra e shpenzimit të tyre nuk bëhet në mënyrë sistematike, nuk është transparente, ndonjëherë nuk është funksion i asaj që janë përparësitë strategjike të vetë shtetit”, thotë Karanfilova.

Sipas saj, duhet të ketë transparencë të plotë dhe përgjegjshmëri, por duhet të sigurohen mekanizma në mënyrë që shpërndarja e këtyre parave publike për OJQ-të të mos rrezikojë integritetin dhe pavarësinë e tyre. Shteti duhet të rrisë pjesën me të cilën financon OJQ-të, të kenë një sistem ose fond të parashikueshëm, të organizuar, dhe të sigurojë bashkëfinancim shtesë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button