Tuski, Zaevi, Osmani dhe Dimitrovi: RMV-ja i ka përmbushur të gjitha kushtet për marrjen e datës së BE-së

Në takimin ndërmjet presidentit të Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), Donald Tusk, kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Zoran Zaev, zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, njëzëri është përfunduar se, RMV-ja i ka përmbushur të gjitha kushtet për nisjen e negociatave me BE-në, transmeton Portalb.mk.

“Në takim, edhe njëherë u njohën dhe u vërtetuan të gjitha sukseset të cilat RMV-ja i ka arritur gjatë periudhës 2,5 vjeçare, dhe njëzëri është përfunduar se, shteti ynë dhe qytetarët i kanë përmbushur të gjitha kushtet për miratim të vendimit për nisjen e negociatave, duke bërë reforma serioze dhe të guximshme”, thuhet në kumtesën e Kabinetit të Zaevit.

Më tej në kumtesë thuhet se, gjatë bisedimeve në Bruksel, është krijuar pritshmëria se liderët e shteteve anëtare të BE-së, nesër do të bëjnë përpjekje që të vijnë deri te zgjidhja konsesuale në lidhje me nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut.

Që të tre pjesëtarët e Qeverisë së RMV-së, paraprakisht takim kanë realizuar edhe me presidentin e Parlamentit Evropian, David Maria Sasoli, nga i cili kanë marrë premtimin, se nesër “në Samitin e BE-së do të kërkojë nisjen e negociatave për RMV-në”.

Opozita në RMV, Aleanca për Shqiptarët dhe VMRO-DPMNE-ja janë shprehur skeptike se, Qeveria e RMV-së meriton marrjen e datës.

Nga ana tjetër, kancelarja gjermane, Angela Merkel nuk ka arritur ta bindë presidentin e Francës, Emanuel Macron për datën e nisjes së negociatave të BE-së me RMV-në dhe Shqipërinë, takim ky që u realizua pasi në Mbledhjen ministrore të BE-së, ishte Franca që i dha veto marrjes së datës së të dyja shteteve.

Ndërkaq, eurokomisari për Zgjerim, Johanes Han ka porositur që liderët të gjejnë mënyrë për miratim të datës.

Përndryshe, Samitit i liderëve të BE-së do të mbahet më 17 dhe 18 tetor në Bruksel. Në të pritet të sillet vendimi përfundimtar se, a do ta marrë RMV-ja dhe Shqipëria datën për nisjen e negociatave. Kjo vjen pasi që në Mbledhjen ministrore nuk u dha rekomandim për nisjen, dhe iu la vendimi të sillet në Samitin e liderëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button