RMV, investimet e fryra kapitale vështirë realizohen

Nëse ata vazhdojnë me këtë ritëm, për realizimin e plotë të investimeve kapitale, ky vit  do të duhet të ketë 28 muaj. Deri në gusht është realizuar më pak se një e treta e asaj që ishte planifikuar, shkruan REL në gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.mk.

Gjatë miratimit të buxhetit, qeveria i “fryn” investimet kapitale për arsye politike, për ta paraqitur atë si buxhet zhvillimor, edhe pse janë të vetëdijshëm se nuk ka shanse për t’i realizuar, thonë analistët ekonomikë. Në fund të vitit, qeveria zakonisht rialokon ato para për nevoja tjera.

Në buxhetin e këtij viti ishin paraparë 422 milionë euro për investime kapitale, por që deri në fund të gushtit, ishin realizuar vetëm 119 milionë euro, përkatësisht 28.16% të mjeteve të parashikuara. Kjo do të thotë që nëse qeveria vazhdon me këtë ritëm, për realizimin e plotë të investimeve kapitale, viti do të duhet të ketë 28 muaj.

Me rebalancin, investimet kapitale u shkurtuan në 368 milionë euro, por edhe me shkurtimin, shkalla e realizimit do të rritej në 32%. Edhe kështu, duke e ndjekur dinamikën aktuale, do të duheshin edhe 17 muaj të tjerë për t’i realizuar ato.

Ish Ministri i financave, Xhevdet Hajredini, thotë që qeveria është e vetëdijshme se nuk mund të bëjë kaq shumë investime kapitale, por vetëm përpiqet të hutojë publikun.

“Kur e miratojnë buxhetin, është interesante të mburren se buxheti është pro zhvillimit dhe mendojnë se ashtu e hutojnë publikun, e që publiku harron edhe ato gjëra që ministrat i kanë thënë dje. Në fund, me rebalancin, çdo vit, ato para sërish shpërndahen për të mbuluar shpenzimet aktuale të buxhetit. E atëherë është interesante të thuhet që buxheti është pro zhvillimit, ata e dinë që nuk do të realizohet dhe se ato para do t’u shërbejnë për t’i ri-dedikuar  ato me rebalancin dhe përsëri të thonë ja ne po japim për arsim, paguajmë rroga dhe kështu me radhë ”, thotë Hajredini.

Ish Ministri i financave Petar Gosev thotë se ka një problem si me planifikimin ashtu edhe me jo-efikasitetin tradicional të administratës.

Për shkak të realizimit të dobët, qeveria me rebalancin i shkurtoi investimet kapitale dhe rriti pritjet për rritje ekonomike nga 3.2% në 3.5%. Goshev thotë se nuk bien në kundërshtim me njëri-tjetrin, pasi realizimi i dobët ndikon në rritjen e ardhshme ekonomike.

“Investimet kapitale kanë rëndësi më afatgjatë dhe ndikojnë në rritjen e mundshme. Lëshimet e tanishme manifestohen me rezultat negativ në periudhat e ardhshme. Nëse paratë zhvendosen nga shpenzimet kapitale në ndonjë konsum specifik, tjetër, të shpejtë, kjo nuk duhet domosdo të ndikojë në zvogëlimin e rritjes së BPV-së, përkundrazi, madje mund të ketë efekte edhe më të shpejta, por përsëris, këtu ndodh procesi i gjymtimit të rritjes së mundshme ekonomike, e asaj rritjeje që do të pasonte në periudhën e ardhshme”, thotë Goshevi.

Vit më i keq se ky në realizimin e investimeve kapitale në dekadën që po kalon ishte vetëm viti paraprak kur në fund u realizuan 65,6% e investimeve kapitale të parashikuara. Nëse e shikojmë planin në fillim të vitit, përkatësisht para rebalancit, atëherë realizimi është vetëm 50 për qind.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button