Ligji i gjuhëve, përplasje mes Zaevit dhe Osmanit

Mundësia e revidimit të Ligjit të gjuhëve, me të cilin parashihet përdorim i gjerë i gjuhës shqipe, ka përplasur së fundmi kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Zoran Zaev dhe zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, transmeton Portalb.mk.

Në intervistë për Televizionin “Alfa”, Osmani ka deklaruar se, Ligji i gjuhëve nuk do të preket.

“Ligji i gjuhëve nuk do të preket, pavarësisht se si do të jenë vërejtjet e Komisionit të Venedikut” tha Osmani.

Kjo deklaratë e Osmanit, është në kundërshtim me deklaratën e Zaevit të dhënë ditë më parë, ku thotë se, të gjitha vërejtjet e Komisionit të Venedikut do të merren parasysh.

“Komisioni i Venedikut do t’i formulojë vlerësimet e tij përfundimtare, të cila sigurisht do t’i implementojmë. Nëse kemi qëllim të hymë në Bashkimin Evropian, duhet t’i respektojmë institucionet evropiane, sepse ata na thonë se çfarë është evropiane dhe çfarë kundërevropiane”, tha Zaevi.

Përndryshe, përplasjet për implementim ose jo të vërejtjeve të Komisionit të Venedikut për Ligjin për përdorimin e gjuhëve me të cilin parashihet përdorim i gjerë i gjuhës shqipe, u aktualizua pasi që portali “Plusinfo” publikoi një sërë vërejtjesh. Megjithatë, vërejtjet nuk janë zyrtare, dhe Komisioni e ka anuluar për një kohë të pacaktuar dhënien e mendimit për Ligjin. Për shkak se vërejtjet nuk janë zyrtare, nuk ka pranuar t’i komentojë presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button