Meta: Integrimi nuk arrihet me lobime, por me reforma, apel politikës jepini fund krizës

Presidenti Ilir Meta në 10-vjetorin e fondacionit “Konrad Adenauer Stiftung”, theksoi se disa nga shqetësimet që pala gjermane adreson, janë të përsëritura prej të paktën tri vitesh në mënyrë sistematike.

 

Ndër të tjera kreu i shtetit, ka apeluar për një reflektim të thellë dhe serioz për kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman, transmeton Vizion Plus.

 

“Më duhet ta theksoj se disa nga shqetësimet që ata adresojnë nuk janë të reja, por janë të përsëritura prej të paktën gati tri vitesh në mënyrë sistematike, konsistente, dhe në mënyrën më të ndershme e më me integritet duke na ndihmuar që t’i plotësojmë këto detyrime në kohë, që edhe ata ta kishin shumë më të thjeshtë sot me disa vende anëtare të Bashkimit Evropian. Këto ditë ne presim vendimin mbi çeljen e negociatave të anëtarësimit të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Urojmë dhe kërkojmë që ky vendim të jetë pozitiv dhe çdo vend skeptik që ka shqetësimet e tij konkrete, t’i bashkohet qasjes së Bundestagut, si rruga më e drejtë dhe e dobishme për të gjithë”.

 

Presidenti Meta në fjalën e tij është shprehur se pas anëtarësimit në NATO, integrimi evropian është projekti më i madh strategjik i shqiptarëve, i pa përmbushur.

 

“Ne nuk bëjmë dot pa Evropën dhe mbi të gjitha, shqiptarët që kanë ëndërruar në Dhjetor 1990 dhe në vijimësi në këto tri dekada, pa një demokraci të vërtetë dhe funksionale, pa zgjedhje të lira e të ndershme, pa parimet e kontrollit e të balancës së pushteteve, pa media të lirë, pa zgjedhje jo konkurruese. Por demokracia nuk ngel në vend, nuk fotografohet. Ajo forcohet, konsolidohet, ose tkurret dhe vdes ngadalë. Ndaj është shumë e rëndësishme t’i rikthehemi në vazhdimësi të kaluarës për të mos lënë asnjë mundësi për t’u zhytur përsëri në izolim apo arbitraritet dhe për të mos shuar llogaridhënien që është vendimtare dhe që dallon një sistem demokratik nga një jodemokratik”.

 

Ndër të tjera kreu i shtetit është shprehur se aktorët politik duhet të marrin përgjegjësitë e duhura për të zgjidhur gjendjen në të cilën ndodhet vendi.

 

“Jam i bindur se Fondacioni do të vijojë të luajë një rol të rëndësishëm në këto procese, edhe pse çelësi i suksesit është plotësisht në duart e aktorëve politikë, institucionalë dhe të shoqërisë civile këtu, në vendin tonë. Ndaj këto të fundit duhet të gjejnë kurajën dhe duhet të reflektojnë për të marrë përgjegjësitë që u takojnë për ta rivendosur vendin në shinat kushtetuese dhe të shtetit të së drejtës, për t’i dhënë fund kësaj krize tërësisht artificiale politike, kushtetuese dhe institucionale që ende mbizotëron.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button