Kryeminstri bullgar kërkon dorëheqjen e shefit të futbollit pas skandalit racist

Kryeministri bullgar, Boyko Borissov i ka kërkuar presidentit të Unionit Shtetëror të Futbollit, Borislav Mihaylov, që të japë dorëheqje pas abuzimeve raciste të tifozëve bullgarë kundër lojëtarëve të Anglisë, gjatë ndeshjes së zhvilluar në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të Futbollit, Euro 2020, shkruan REL.

Ndeshja, që ka përfundur me rezultat 6:0 në të mirë të anglezëve është ndalur përkohësisht nga referët për shkak shkeljeve që ka kryer turma në stadiumin kombëtar të Bullgarisë.

“I bëj thirrje Borislav Mihaylov që menjëherë të largohet nga pozita e presidentit të Unionit Bullgar të Futbollit!”, ka thënë Borissov në një postim në rrjetin social, Facebook, pasi pamjet e ndeshjes së të hënës mbrëma janë parë në televizione në gjithë botën.

“Është e papranueshme për Bullgarinë, që është një prej shteteve më tolerante të botë dhe për njerëzit e etnive dhe religjioneve të ndryshme që jetojnë në paqe, të lidhen me racizëm dhe ksenofobi”, është thënë ndër të tjera në postimin e kryeministrit bullgar.

Më herët, Ministri bullgar i Sportit, Krasen Kralev ka thënë se qeveria do të pezullojë marrëdhëniet me Unionin Bullgar të Futbollit, duke përfshirë lidhjet financiare.

Mirëpo ky Union deri më tani nuk ka komentuar këtë situatë.

Në kuadër të ndeshjeve për kualifikim në Euro 2020, një ditë më parë është zhvilluar edhe ndeshja në mes të kombëtares së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi.

Lojëtarët e Kosovës kanë shënuar fitore me rezultat 2:0, në stadiumin ”Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Golat i kanë shënuar Amir Rrahmani dhe Vedat Muriqi.

Kosova është në të njëjtin grup kualifikues për Kampionatin Evropian me Çekinë, Anglinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button