Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi penale për Musën si dhe përgjegjësi nga BDI dhe Qeveria

Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi penale për tani më ish zv.ministrin e Shëndetësisë, Asim Musa i cili dha dorëheqje pas skandalit me miton për syneti dhe operacion të prostatës. Në një konferencë për shtyp, sot në Shkup, përfaqësuesit kësaj partie dorëheqjen e tij e cilësuan si akt moral ndërsa përpos përgjegjësisë së tij, ata kërkojnë edhe nga BDI-ja dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, njofton Portalb.mk.

“Informata që zv.Ministri i Shëndetësisë në kabinetin qeveritar ka dhënë dorëheqje për Aleancën për Shqiptarët dhe Departamentin e Shëndetësisë është një akt moral. Ne tash si parti politike kërkojmë përgjegjësi juridike”, tha kryetari i Departamentit të Shëndetësisë pranë Aleancës për Shqiptarët, Bekim Tateshi.

Kjo parti opozitare kërkon përgjegjësi edhe nga qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut për arsye se siç thonë ata, “zv. Ministri i dorëhequr ishte në kabinetin e kryetarit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.”

“Prandaj kjo kalon në përgjegjësinë e krejt qeverisë edhe politikat e saj në shëndetësi” – shtoi Bekim Tateshi.

Aleanca për Shqiptarët gjithashtu kërkoi përgjegjësi edhe prej partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, nga e cila ishte i emëruar zëvendës ministri tashmë i dorëhequr, parti kjo, e cila sipas tyre ka edhe shumë raste tjera korruptive nga të cilat asnjëra prej tyre nuk ka marrë epilog.

“Kërkojmë përgjegjësi prej partisë të cilës ai i përket, për arsye se aty ka edhe shumë raste tjera të pa-definuara të cilat nuk kanë shkuar deri në fund”, Bekim Tateshi.

Përmes kësaj konference për shtyp, partia opozitare Aleanca për Shqiptarët e shfrytëzoi rastin të rikujtojë gjendjen e shëndetësisë ne vend, ata përmenden disa raste konkrete siç është kulmi i Spitalit në Strugë, gjendja e Spitalit në Kërçovë, mbyllja e spitalit në Haraçinë edhe gjendja e rrënuar e spitaleve në Maqedoninë e Veriut.

Ndryshe, pas publikimit në “Fiks Fare” të një video inçizimi të realizuar nga gazetarët investigativ ku shihet zv. Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut duke kërkuar 1000 euro për një ndërhyrje kirurgjikale në një spital në Strugë, Asim Musa dha dorëheqje nga çdo post publik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button