Serbia vazhdon lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq ka biseduar me shefin e delegacionit kinez në Interpol, Daki Duan, lidhur me argumentet e Serbisë kundër pranimit të Kosovës në në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë, njoftoi ministria serbe, njofton REL.

Ministri Stefanoviq po qëndron në Kili, për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit, nga 15 deri më 18 tetor.

Ai i tha delegacionit kinez, se pranimi eventual i Kosovës do të çojë në një ndarje të thellë të organizatës ndërkombëtare të policisë, dhe rrezikon luftën e ardhshme kundër krimit në botë.

“Anëtarësimi i mundshëm i Kosovës, do të rezultojë në keqpërdorim të Interpolit, dhe se politika do të zëvendësojë punën e policisë”, ka thënë Stafanoviq.

Shefi i delegacionit kinez konfirmoi qëndrimin e pandryshuar të Kinës në lidhje me kërkesën e Kosovës për pranim në Interpol, thuhet në deklaratë.

Angazhimi i Serbisë kundër pranimit të Kosovës në Organizata Ndërkombëtare e pati shtyrë qeverinë e Kosovës, që në nëntor të vitit 2018, të vendosë tarifa ndaj mallrave serbe.

Vendosja e tarfiave më pas shkaktoi ndërprerjen e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet të dyja vendeve, që lehtësohej nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button