Angelovska: kemi projekt i cili ka për qëllim të luftojë ekonominë gri në sferën e internetit

Malli i cili do të arrijë në Sh.A “Posta  e Maqedonisë së Veriut” nga shtetet e jashtme do t’ju nënshtrohet kontrolleve të përforcuara për të luftuar ekonominë gri në vend. Këtë e bëri me dije Ministrja e Financave, Nina Angelovska sot në Shkup pas takimit që kishte me përfaqësuesit e disa institucioneve dhe organizatave, njofton Portalb.mk.

Ajo njoftoi se Ministria e Financave në bashkëpunim me Drejtorinë e të Ardhurave Publike e ka filluar projektin i cili ka për qëllim të luftojë ekonominë gri në sferën e internetit (online) që zakonisht realizohet përmes rrjeteve sociale.

“Bëhet fjalë për subjekte që nuk janë të regjistruara si kompani në vend, të cilat mallin e sigurojnë nga shtete të jashtme, të cilin më pas e shesin në Republikën e Maqedonisë së Veriut përmes rrjeteve sociale. Sot biseduam se si të gjejmë mënyrë që këto biznese të regjistrohen për arsye se bëjnë konkurrencë të padrejtë të cilat ndikojnë negativisht në sektorin vendor”, tha Nina Angelovska.

Mes të tjerash, në këtë mbledhje u fol edhe për sfidat me të cilat përballen bizneset private të regjistruara si dhe për vështirësitë me të cilat hasen institucionet që kanë për detyrë të denoncojnë dhe reduktojnë ekonominë gri.

Sipas Bankës Popullore, aktualisht nga tregtarët elektronik në RMV të regjistruar janë rreth 950-1000 ndërkaq Ministria e Financave nuk ka të dhëna se sa është numri i atyre që punojnë pa regjistrim.

Drejtori i Policisë Financiare, Arafat Muaremi tha se institucioni që ai e udhëheq ka hapur procedura kundër disa bizneseve të cilat ndihmohen nga disa agjenci transporti e që kryejnë vepër jo të ligjshme duke bërë shit-blerje në të zezë. Por, ai nuk saktësoi për kë bëhet fjalë pasi që siç tha “në mënyrë që kjo të mos ndikojë në zhdukjen e dëshmive.”

Në takim, mes tjerash e pranishme ishte dhe drejtoresha e Drejtorisë e të ardhura publike (DAP) Sanja Lukarevska si dhe kishte përfaqësues nga Odat Ekonomike të Maqedonisë së Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button