“Shengeni i vogël” një kurth hegjemonist

Pasi që mjedisi i tetorit nxehu skajshmërisht emocionet në gjithë gjeografinë shqiptare, por edhe në diasporë (Evropë dhe Amerikë), për shkak të abstraktimit të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, që t’i jepet çmimi Nobel për vitin 2019, madje, mbi të gjitha, e keqja më e madhe konsiston në atë se këtë çmim për letërsi e ka marrë austriaku, Peter Handke, i cili ka derdhur lot për vdekjen e Millosheviqit, për çka pati furtunë reagimesh nga njerëzit më eminentë shqiptarë në adresë të Akademisë suedeze, së këndejmi kemi paksa vështirë t’i kthehemi realitetit në një moment kyç për Maqedoninë e Veriut, kur një pjesë e qytetarëve të saj që janë luajalë ndaj pushtetit, po presin me ankth marrjen e datës për negociata me BE-në (15 tetor), për shkak të kundërshtimeve të Francës nga ana e presidentit të saj, Makron, dhe Holandës, që ka “mosmarrëveshje” në parlamentin e saj lidhur me këtë çështje.

Në binarë të njëjtë janë vendosur dy momente të vendosjes me peshë të madhe politike. Na ngjason që BE po na përgatit për një “Jugosllavi të tretë”, nëpërmjet “jaranit” të vet serb, Vuçiq, i cili, me politikën e tij megalomane, dëshiron të fus në një proces pa kthim kryeministrin Rama, nëpërmjet një “kali të vockël të Trojës”, i ashtuquajtur “Shengeni i vogël” (mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë), përderisa dështoi “shengeni ballkanik” para pak vitesh, kamufluar nën plafin e zhvillimit ekonomik pa përkufizime, qarkullim të lirë mallrash e njerëzish, që për synim kanë “shtrirjen e dorës” serbe deri në Durrës. Nëse s’do të dinim se me kënd kemi punë, një nismë e këtillë do ishte e mirëpritur, sepse do ishte e leverdishme për të gjitha palët dhe do të sillte dobi gjithëpërfshirëse, por “kundërmimi i keq” i kësaj pune do të dalë më vonë në hapësirë.

S’është ndonjë “zbulim” i madh nëse themi se sa është me rëndësi që Maqedonia e Veriut ta marrë tash datën për negociata me BE-në, që të fillojë procesi pragmatik i integrimit nëpërmjet bisedimeve shumëvjeçare, kur duhet shumë punë të futen në shtigjet e veta pa kthim prapa. Shqiptarët, të nëpërkëmbur gjatë historisë dhe tradhtuar nga Evropa, kanë krijuar bindjen e tyre se nuk kanë fort dobi nga ky proces integrues në BE, por jemi të detyruar t’i braktisim paragjykimet dhe ta kërkojmë vendin aty ku e kemi, sepse forcat e tjera politike globaliste, si Rusia dhe Kina, tashmë po punojnë me metoda të sofistikuara (nëpërmjet investimeve, blerjes së kapitalit etj), të na gllabërojnë dhe robërojnë edhe politikisht.

Ne duhet të gjejmë një mbështetje më të sigurt politike dhe të sigurisë, pos nga SHBA-ja, si partnere kryesore dhe e besueshme, andaj duhet hapur sytë katër në biseda, nisma të ndryshme dhe ofertat financiare, që mund të jenë një “karrem” për të na futur në “grushtin lindor”, prandaj dhe ndihma dhe mbështetja politike që duhet t’i jepet këtij vendi nga shqiptarët, do t’u kthehet e dyfishuar. Alternativë, për momentin, nuk kemi. SHBA dhe diaspora shqiptare e atjeshme mund të na ndihmojnë, më shumë se kaq që po synojmë në këtë moment, por në një fazë të re të zhvillimit tonë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se jemi si komb shumë prapa të tjerëve, që galopojnë me të shpejtë dhe me dinamikë të paparë proceseve të zhvillimit, andaj s’duhet t’i lejojmë vetes që të mbetemi përherë në bisht të proceseve qytetëruese.

Jemi shumë afër aderimit në aleancën më të fuqishme ushtarake e të sigurisë, në NATO, që duhet të ndodhë në fillim të dhjetorit të këtij viti, në Samitin që do mbahet në Londër, por po qe se dalin probleme nga Spanja e nga ndonjë tjetër shtet anëtare, atëherë kjo do bëhet përfundimisht në fillim të vitit të ardhshëm, sepse është një proces i pakthyeshëm. Forcat anti-NATO ende po veprojnë në këtë vend “me këmbë të qelqta”, madje janë infiltruar edhe në disa parti politike të së djathtës. Kjo aleancë përfundimisht do na largojë nga kthetrat ruse dhe “lakejtë” e saj politikë, që mbahen gjallë për të na bërë trazira, gjithnjë me faturë mbi kurriz të shqiptarëve, për çka shpërblehen me para të majme. Kjo politikë retrograde, përfundimisht do ta japë frymën e fundit të jetës në këtë territor. Shqiptarët, nëse do të dinë të bashkohen në çështjet strategjike, mbase do t’i hedhin prangat që i janë vënë tash e shumë kohë më parë.

Perspektiva jonë është në eurointegrime, deshëm ne apo s’deshëm, realiteti po na e imponon. Ne tashmë e kemi në Evropë pjesën më vitale të kombit, rininë, e cila skajshmërisht u deprimua nga politikat e gabuara të pushtetmbajtësve shqiptarë, që lidhën “jarani” me kundërshtarët politikë e anti-shqiptarë, ndaj dhe morën botën në sy. Një plagë e rëndë ende e pashëruar e kurbetit ndër dekada, po merr krah dhe po kullon deri në gangrenë, po qe se nuk ndryshon diçka në të mirë. Një politikë do të jetë konzistente, nëse subjektet e saj do të reagojnë shpejt e me mençuri ndaj të gjitha dukurive që cenojnë lirinë individuale e kolektive të shqiptarëve, që duhet të sanksionohet me ligje e kushtetutë, që të ketë mbrojtje institucionale, sikundër që duhet vepruar edhe në ndarjen e “kulaçit” të përbashkët, por jo më në stilin: “Për dikë nënë e për dikë njerkë!”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button