ANALIZË:  Borxhe “shtetërore” prej 300 milion eurosh! (Infografik)

Në miliona euro llogariten borxhet e spitaleve, ndërmarrjeve publike, komunave, agjencive, klinikave, shoqërive aksionare në pronësi të shtetit, ministrive. “Portalb”-i publikon detaje të Raportit të ri mbi detyrimet e paraqitura nga subjektet në pronësi shtetërore – në mesin e këtij viti borxhi i përgjithshëm i raportuar dhe i maturuar, por i papaguar, i gjithë asaj që quhet “shtetërore” është 304 milion euro. Në dy vazhdime të “Analizës” do t’i zbulojmë detajet e borxheve dhe strukturën e detyrimeve, kush, sa për çfarë arsye ka borxh.

Arsimi, shëndetësia, ndërmarrjet shtetërore – kush çfarë borxhi ka?

Vetëm një kompani “shtetërore” ka pjesëmarrje prej 24% në borxhin e përgjithshëm të maturuar, të papaguar, që e ka paraqitur sektori shtetëror në fund të qershorit, gjegjësisht në tremujorin e dytë të këtij viti. Në fakt, nga gjithsej 1.170 agjenci, spitale, komuna, organe rregullatore, agjenci, gjykata, shoqëri aksionare, të paraqitura, në vend të parë sipas shumës së detyrimeve të maturuara dhe të papaguara është renditur Sh.A. Hekurudhat e Maqedonisë – Transporti, në vlerë prej 73.2 milion euro.

Në “dhjetëshen” e parë sipas borxheve janë tre komuna, ndërmarrje publike dhe komunale, shërbimi kombëtar i transmetimit – RTМ. Kështu, pas HM – Transporti, sipas shumës së detyrimeve të maturuara dhe të papaguara, në vendin e dytë është Sh.A. “Resurset energjetike të Maqedonisë – REM” me një shumë prej 17.9 milion eurosh, e ndjekur nga N.P. Proakua – Ohër me borxh prej 13.3 milion eurosh, NP HM – Infrastruktura me vlerë prej 8.8 milion eurosh. Në vendin e pestë në listë renditet komuna e Ohrit me borxh prej 7.9 milion eurosh, e ndjekur nga N.P. “Ujësjellësi” – Kumanovë me borxh të raportuar prej 7.2 milion eurosh, N.P. RTM ka borxh prej pothuajse 7 milion eurosh, komuna e Tetovës është në vendin e 8-të me detyrime prej 6.2 milion eurosh, në vendin e nëntë është Instituti i mjekësisë së transfuzionit me detyrime të paraqitura prej 4.5 milionë eurosh, ndërsa në vendin e dhjetë është komuna e Karposhit me borxh prej 4.4 milionë eurosh.

Në krahasim me borxhet e paraqitura në tremujorin e parë, vërehet një ulje, e madje edhe përgjysmim i shumave që i kanë borxh komunat, si për shembull komuna e Strugës, e cila deri në fund të marsit kishte borxh prej 4.9 milionë eurosh, ndërsa në qershor borxhi u zvogëlua në 3.2 milion euro, por ky zvogëlim i borxhit të komunave është kryesisht rezultat i injeksionit financiar shtetëror, me të cilin qeveria qendrore u ndihmoi kryetarëve të komunave t’i zvogëlojnë saldot e borxheve komunale. Përgjysmimi i detyrimeve të papaguara është vërejtur edhe te komuna me nivelin më të lartë të borxhit – komuna e Ohrit, si dhe te komunat e tjera që morën pjesë të ndihmës shtetërore për pagimin e borxheve.

Në listën e “borxhlinjve” gjenden një sërë institucionesh shëndetësore, si për shembull ESHP Klinika Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë ka raportuar detyrime prej 3 milion eurosh, ESHP Klinika Universitare për Kardiologji paraqitet dy herë me detyrime të përgjithshme prej 4.4 milion eurosh, Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës ka borxh prej 2 milion eurosh, ndërsa Spitali i Përgjithshëm i Ohrit pothuajse 2 milion euro Instituti për Sëmundjet e Mushkërive te Fëmijët – Kozle ka paraqitur detyrime prej 1.7 milion eurosh, ndërsa në listë gjenden pothuajse të gjitha klinikat në Shkup, për Nefrologji, për Kirurgji të Fëmijëve, për Kirurgji Digjestive, Pulmologji, Klinika për Urologji, Kirurgjia Kardiake Shtetërore, Instituti i Shëndetit Publik, spitalet klinike në Shtip dhe Manastir, Enti për Nefrologji në Strugë, Spitali i Përgjithshëm – Prilep dhe Spitali i Përgjithshëm – Strumica, Qendra klinike e Stomatologjisë, Qendra për Shëndet Publik – Manastir…

Në detyrimet e maturuara dhe të papaguara bën pjesë edhe arsimi dhe kultura. Në listë gjenden një numër i madh shkollash fillore dhe të mesme, ndërsa vetë Ministria e Arsimit ka një borxh të papaguar prej 780.000 eurosh. Borxhe kanë raportuar edhe nga Opera dhe Baleti i Maqedonisë me 722.000 euro, ndërsa në listë gjenden edhe Shkolla e mesme profesionale “Mosha Pijade” – Tetovë, Sh.F. “Kërste Petkov Misirkov” – Bistricë, Manastir, Sh.F. “Tefejuz” Çair, Shkup, Sh.F. “Goce Delçev” Manastir, Sh.M.P.Q. “Kole Nedelkovski” Veles, Sh.F.Q. “Liria” – Çair, Shkup, si dhe shkolla të tjera fillore dhe të mesme nga komuna dhe qytete të ndryshme si Prilepi, Vasileva, Kisella Voda, Struga, Velesi, Kumanova, Sveti Nikoleja, Karposhi etj.

Renditur sipas sektorëve, sipas nivelit të detyrimeve të maturuara dhe të papaguara, ndërmarrjet publike renditen më lartë, të ndjekura nga ndërmarrjet lokale të formuara nga komunat, ndërsa në vendin e tretë janë Entet e Shëndetit Publik

Detyrimet e raportuara të papaguara (fundi i qershorit 2019)

Ndërmarrje publike: 114.3 milionë euro
Ndërmarrjet lokale të themeluara nga komunat: 55.2 milionë euro
Institucionet shëndetësore publike: 50.8 milionë euro
Komunat: 50.0 milionë euro
Shfrytëzuesit e buxhetit (të gjithë së bashku): 22.5 milionë euro
Entet lokale (të financuara me bllok dotacione): 10.5 milion euro
Rajonet e planifikimit: 126.000 euro
Organet rregullatore: 27.000 euro
Subjektet e tjera: 570.000 euro

Analiza krahasuese e raporteve të publikuara tregon se në tremujorin e dytë të këtij viti në krahasim me tremujorin e parë, ka një ulje të borxhit te komunat dhe shfrytëzuesit e buxhetit, por detyrimet e maturuara dhe të papaguara janë rritur te ndërmarrjet publike, institucionet shëndetësore publike, ndërmarrjet lokale të formuara nga komunat.

Borxhe kanë edhe ministritë, teatrot, klubet e futbollit, institucionet e arsimit të lartë. Sa është shuma e detyrimeve të tyre të maturuara dhe të papaguara, dhe për çfarë për arsye, do të jetë objekt i analizës së ardhshme tëPortalb”-it.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button