Kosovë, votat e diasporës do të transferohen nga Ministria në QNR

Valdete Daka, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë se KQZ-ja ka vendosur që votat nga diaspora nga objekti i Ministrisë së Infrastrukturës të barten në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, sipas procedurave, njofton Koha.net.

Votat, që ishin në të njëjtën hapësirë ku sot u ndërpre numërimi pasi zyrtarët e KQZ-së u helmuan nga kundërmimi që kishin votat e ardhura nga Serbia, sipas Dakës nuk janë objekt hetimi dhe me to do të procedohet sipas ligjit.

“Pas ngjarjes së sotme, KQZ në një mbledhje të jashtëzakonshme, të mbyllur për shkak të hetimeve, ka vendosur që votat të cilat janë vlerësuar, nga diaspora, që ishin në hapësirën që tash është e mbyllur nga Policia, që këto vota të transferohen nesër nën përcjellje të policisë në QNR, pasi që s’janë objekt i hetimit. Do të dërgohen siç është parapa me plan operacional në Qendrën e Numërimit. Atje do të procedohen sipas procedurave. Bëhet fjalë për rreth 15 mijë e 500 zarfe”, ka thënë ajo.

Pas mbledhjes së jashtëzakonshme, Daka ka thënë se për zarfet që janë objekt i hetimit, do të merret vendim vetëm pas kryerjes së hetimeve.

“Këto zarfe që potencialisht ka arsye të dyshohet se ka materie apo çka do qoftë, pasi janë objekt i hetimit, do të mbesin në atë hapësirë, do të hetohen nga policia, e do të ekzaminohen nga forenzika e të vlerësohet a ka pasur ndonjë mjet apo jo, janë çështje të policisë ku nuk dua të përzihem. Ende s’dihet asgjë, sepse posa ka filluar vlerësimi i tyre. S’ka arritur të bëhet asnjë veprim për shkak të ngjarjes. Pasi të kryhen hetimet, e të vlerësohen a janë të rrezikshme apo jo për shëndetin e njerëzve, do të vazhdohet sipas procedurave”, ka shtuar ajo.

Daka ka refuzuar të merret me komentet e përfaqësuesit të Listës Serbe në KQZ, Stevan Veselinoviq, që sot tha se “helmimi është mashtrim i orkestruar”.

Për votat nga diaspora që kanë ardhur me vonesë, Daka ka thënë se për këtë vendos Shërbimi i Votuesve se a janë të rregullta apo jo.

“KQZ-ja vepron sipas ligjit. Shërbimi i Votuesve është ai që vendos a janë të rregullta apo jo, cilat do qoftë vota. Çka do që vendos Shërbimi, ne vendosim. Votuesit kanë të drejtë ankese pastaj. Ne s’do të vendosim për ato vota, sepse Shërbimi i Votuesve është ai që e vlerëson vlefshmërinë”, ka thënë ajo.

LEXO EDHE:


17:00 – Halimi: Ende s’e kemi të qartë situatën me helmimin

Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi, ka thënë se institucioni që ai përfaqëson ka qenë në proces të verifikimit të votave që kanë ardhur nga jashtë Kosovës kur është raportuar për një kundërmim që ka ardhur nga disa pliko.

“Jemi në pritje të verifikimit të gjendjes nga ana e Policisë. Ende nuk e kemi situatën e qartë. KQZ do të vendosë se si do të veprohet me këtë material. Jemi këtu që të sigurojmë se nuk do të preket integriteti zgjedhor. Procesi ka qenë më specifik për votat që vijnë nga shteti serb. Këtu janë të gjitha fletëvotimet që kanë ardhur nga jashtë Kosovës dhe ne do të kujdesemi që të mos preket integriteti zgjedhor”, ka thënë Halimi, raporton KTV.

Ai tha se pret që sot gjatë ditës të mblidhet KQZ-ja për të diskutuar se çfarë në të vërtetë ka ndodhur.

“Çfarë ka ndodhur nuk e dimë, por jemi në proces që të shohim se çfarë ka ndodhur, së bashku edhe me organet kompetente”, theksoi ai.

Ramadani: Gjendja e të helmuarve stabile

Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani ka deklaruar se gjendja e të helmuarve është stabile, raporton KTV.

“Janë lajmëruar nëntë persona, gjendja e tyre është stabile. Ekipet kujdestare kanë ndërmarrë masat e duhura rreth këtij rasti. Jemi duke bërë analizat që të kuptojmë se nga ka ardhur helmimi”, ka thënë Ramadani.


12:00 – SHSKUK: Gjendja e të helmuarve është stabile 

SHSKUK-ja përmes një komunikate për media bën të ditur se gjendja shëndetësore e të helmuarve është stabile.

Gjithashtu bëhet e ditur se dy prej nëntë grave janë shtatzënë.

“Në ora 11:58 në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, janë lajmëruar 9 paciente, dy prej tyre shtatzënë, me kruarje të duarve të intensitetit të ultë. Dy nga to kanë pasur edhe vjellje. Të gjitha kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë. Te të gjitha rastet nuk ka pasur sindromë infeksioze dhe gjendja e përgjithshme është stabile”, thuhet në komunikatë.

Pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfeve brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë kundërmuese.

Ekipa kujdestare e Klinikës Infektive kanë ndërmarrë masat e duhura duke i spitalizuar dhe duke i ofruar ndihmën e duhur mjekësore.

Konziliumi i SHSKUK dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në vazhdimësi janë duke e monitoruar gjendjen shëndetësore të pacientëve të spitalizuar.


11:00 – Kosovë, verifikuesit kanë marrë alergji nga votat e ardhura nga Serbia

Në qendrën e verifikimit të votave është duke vazhduar rinumërimi i 314 vendvotimeve.

Sidoqoftë, procesi i verifikimit të votave të ardhura nga Serbia është ndërprerë për shkak të erës së rëndë.

Dyshohet se verifikuesit kanë pësuar alergji pasi kanë prekur zarfet me votat e ardhura nga Serbia.

Disa prej verifikuesve u është shfaqur alergji në duar dhe fytyrë.

Ndërkaq, procesi i verifikimit të zarfeve me vota, të ardhura nga Serbia, është ndërprerë rreth orës 11:00. Kjo pas kundërmimit të zarfeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button