Delegacioni i Kuvendit të RMV-së pjesëmarrës në Asamblenë e 141-të të Unionit Ndërparlamentar

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i kryesuar nga kryeparlamentari, Talat Xhaferi prej sot deri më 17 tetor do të marrë pjesë në Asamblenë e 141-të të Unionit Ndërparlamentar (UNP) në Beograd.

Në delegacion janë deputetët, Dime Vellkovski, Jovan Mitreski, Dimitar Stevananxhija, Agim Shaqiri dhe Julijana Nikollova, anëtarë të Delegacionit dhe Cvetanka Ivanova, sekretare e përgjithshme e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Pritet në këtë Asamble të UNP-së të marrin pjesë rreth 1.700 përfaqësues nga mbi 140 vende anëtare të BE-së, si dhe më shumë se 70 kryetarë të parlamenteve.

Temë kryesore e diskutimit në Asamblenë e 141-të të UNP-së është “Përforcimi i së drejtës ndërkombëtare: rolet dhe mekanizmat parlamentare dhe kontributi në bashkëpunimin rajonal”. Komisionet e UNP-së do të diskutojnë për një numër të madh çështjesh në kompetencën e tyre, në mesin e të cilave: strategjitë parlamentare për përforcimin e paqes dhe sigurisë në vigjilje të sfidave dhe konflikteve që dalin nga katastrofat klimatike dhe pasojat e tyre; aktualizimi i digjitalizimit dhe ekonomisë për t’i arritur qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, konsumi dhe prodhimi i përgjegjshëm; arritja e mbulimit shëndetësor universal deri në vitin 2030 – roli i parlamenteve për të garantuar të drejtën e shëndetit; kriminalizimi i larjes së parave; avancimi i barazisë gjinore, përforcimi i fuqisë së të rinjve…

Në kuadër të Asamblesë së 141-të do të shënohet 130-vjetori i formimit të Unionit Ndërparlamentar dhe 70-vjetori i Konventave të Gjenevës. Mbledhje do të mbajnë “Forumi i femrave parlamentare”, “Forumi i parlamentarëve të rinj” dhe “Shoqata e sekretarëve të përgjithshëm të parlamenteve”, ndërsa parashihen edhe takime të shumta bilaterale të anëtarëve të Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button