Nënë Tereza, edhe në Washington (FOTO)

Një portret i skalitur në një nga pjesët më simbolike të Katedrales Kombëtare të Washingtonit, e radhit Nënë Terezën mes figurave të tjera që kanë bërë vepra kuptimplota në mbrojtje të të drejtave të njeriut, drejtësi sociale, dhe mirëqenien e individëve. Një ceremoni e posaçme kombinonte nderimin për një nga dekanët më me ndikim të Katedrales dhe për veprën e Nënë Terezës, raporton VOA.

Katedralja e Washingtonit është një nga objektet më të rëndësishme të qytetit, me peshë fetare dhe kombëtare. Ditët e fundit në një shërbesë të veçantë lutjesh të mbrëmjes, Nënë Tereza u bë pjesë e historisë së saj.

Një portret i skalitur në një nga kolonat e saj në Këndin e të Drejtave të Njeriut, duket sikur shikon nga lart vizitorët.

Ceremonia ishte organizuar për t’ia kushtuar bustin e saj ish- dekanit të Katedrales, i Përndershmi Samuel T. Lloyd III, i cili mbajti edhe predikimin për Nënë Terezën. Ai foli për punën e pareshtur të Nënë Terezës, e cila e vuri veten në shërbim të atyre më pafat dhe që megjithëse nuk kërkonte famë u bë një nga figurat më të njohura dhe të admiruara në botë dhe fitoi Çmimin Nobel të paqes, raporton Zëri i Amerikës.

“Askush nuk mund ta kishte imagjinuar këtë lloj fame për këtë 18 vjeçare shtatvogël shqiptare që la shtëpinë e saj për t’u bashkuar me urdhrin katolik të Motrave të Loretos”, tha Samuel T. Lloyd III. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button