EP: Propaganda ruse në BE është dyfish më e madhe nga janari sesa në vitin 2018

Ndërhyrja e huaj në zgjedhje po i kërcënon shoqëritë demokratike në Evropë, ndërsa po i ndihmon forcat anti-BE, ekstremistët e krahut të djathtë dhe popullistët. Rusia, e cila është burimi më i madh i dezinformatave, i ka dyfishuar përpjekjet e saj këtë vit, ashtu që nga fillimi i vitit janë shënuar 998 raste të dezinformatave që ndërlidhen me Rusinë, kundrejt gjithsej 434 rasteve në 2018, ka paralajmëruar të enjten Parlamenti i Evropës (PE).

Eurodeputetët me 469 vota “pro”, 143 “kundër” dhe 47 të përmbajtur votuan rezolutën për të luftuar kundër lajmeve të rreme dhe ndërhyrje në zgjedhje, duke paralajmëruar se përpjekjet për të ndikuar në procesin e vendimmarrjes në BE i vënë shoqëritë demokratike evropiane në rrezik.

Parlamenti i BE-së paralajmëron se ndërhyrjet e huaja kanë qasje sistematike, përkatësisht përmes fushatave në mediat sociale, sulmeve kibernetike në infrastrukturën që ndërlidhet me zgjedhjet ose përmes mbështetjes financiare të partive politike në të gjitha zgjedhjet kryesore kombëtare ose evropiane. Përfitim nga ndërhyrjet e tilla kanë forcat anti-BE, si dhe kandidatët ekstremistë dhe popullistë, paralajmëron Rezoluta e miratuar dje.

Megjithëse vendet anëtare të BE-së e ndalojnë plotësisht ose pjesërisht donacionet e huaja për partitë politike ose kandidatët, aktorët e huaj po gjejnë një mënyrë për t’i anashkaluar këto rregulla, paralajmërojnë eurodeputetët, duke e përmendur Frontin Kombëtar të Francës si shembull tipik, si dhe dyshimet e mediave për Partia e Lirisë në Austri, Lega në Itali dhe Leave.eu në Mbretërinë e Bashkuar.

Përveç që e thekson Rusinë si burimi kryesor i dezinformatave në BE, PE i ka dënuar gjithashtu “veprimet agresive” nga vendet jashtë Evropës të cilat përpiqen ta minojnë sovranitetin e kandidatëve të BE në Ballkanin Perëndimor dhe Partneritetin Lindor.

Komisioni Evropian në Dhjetor 2018 publikoi një Plan aksionar për të luftuar kundër dezinformatave. Deri në fund të vitit 2020 në vendet anëtare të BE-së do të mbahen më shumë se 50 zgjedhje presidenciale, parlamentare, lokale ose rajonale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button