ARMIKU I SHAKLLABANËVE

Letërsia shqipe ka pasur e ka krijues që  kanë sfiduar armiqtë e jashtëm dhe pushtetarët matrapazë vendorë, por më i ashpri prej tyre mbetet, pa dyshim, At Gjergj Fishta, i cili, krahas epërsisë ndaj të tjerëve si poet epik, qe i pakalueshëm edhe si mjeshtër i satirës e sarkazmit.

Fishta këndoi sipas parimit të njohur të Horacit dhe dënoi duke qeshur “heronjtë” e Tij të urryer. Satira qe arma me të cilën shkallmoi hajdutët, fajdexhinjtë,  rrugaçët, sallahanët, vagabondët, riqnat e ndytë, shakllabanët, gomerët, zuzarët me shpirt anadollak e mentalitet feudalësh anakronikë për kohën e hapësirën dhe tuxharët që shisnin interesat etnike dhe hanin me 1000 lugë  hisen e bashkëvendësve.

Me 100.000 vargjet dhe mbi 20.000 fjalët që shfrytëzoi në  veprën e tij monumentale (po aq sa Shekspiri e Pushkini), Fishta bën pjesë ndër klasikët e letërsisë  botërore.

Për meritat e mëdha në fushën e artit letrar, Fishta u bë i pari shkrimtar shqiptar i propozuar për çmimin Nobel, në një kohë kur ai akoma nuk u ndahej njeringrënësve si ivo-andriqët e peter-handket. Për të njëjtat merita, Fishta qe dhe laureat i katër shpërblimeve të mëdha, të fituara nga katër shtete të fuqishme të kohës: Austro-Hungaria (1912), Turqia (1912), Greqia (1931) dhe Italia (1939).

Për Maksimilian Lambertzin Fishta ishte: poeti më gjenial homeroid, të cilin e lindi Shqipëria, kurse vepra e Tij meritonte të hyjë në letërsinë botërore…

Për Eqrem Çabejn, Fishta ka merita të veçanta për braktisjen e temave/ motiveve të Motit të madh dhe zevendësimin e tyre me ngjarjet e historisë së re shqiptare – me luftërat e gjysmës së dytë të sh. XIX dhe fillimit të sh. XX…

Ernest Koliqi, ndërkaq, e konsideroi mjeshtër të pakalueshëm të poezisë satirike. Për të, Fishta qe njëkohësisht: kapadai, i urt e krenar, idhnak dhe shumë sarkastik... Për shkak të dellit satirik, malësorët thoshin: Fishta me bishta.

Vlerësimet pozitive për krijimtarinë dhe personalitetin e At Gjergj Fishtës janë pa fund. Ai, përveçse si poet epik e lirik, dramaturg, publicist, përkthyes, etnograf, pedagog, orator, polemist, piktor e arkitekt, kontribuoi shumë edhe për çështjen e pazgjidhur kombëtare, për zhvillimet kulturore e arsimore, për ngritjen e kulturës politike të shqiptarëve…  Fishta themeloi Shoqërinë Letrare”Bashkimi” të Shkodrës dhe përpiloi njërin prej alfabeteve kryesore të shqipes (1899); themeloi Trupën teatrore në Shkodër (1907); qe Kryetar i Komisionit të Kongresit të ABC-së në Manastir (1908); themeloi Komisinë Letrare, që u përpoq për gjuhën e njësuar shqiptare (1916); themeloi gjimnazin Iliricum  në Shkodër (1921); përfaqësoi Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris (1919) dhe në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork (1922) etj., etj.

At Gjergj Fishta e kultivoi gjatë tërë jetës idenë rilindëse për ruajtjen e tolerancës ndërfetare, sepse e ndjente mirëfilli rrezikun e antagonizmave që do të lindnin pashmangshëm nëse nuk do ta çonim në vend amanetin e madh të korifejve të etnisë.

Largapësinë si krijues, intelektual e politikan, Fishta e dëshmoi edhe me apelin drejtuar shqiptarëve në vitin 1912, të cilëve u kërkoi të ndalnin për momentin sulmet ndaj ushtrisë perandorake osmane, sepse fqinjët nëpërka përgatisnin grirjen tonë.

Natyrisht: këtë nuk e bëri për shkak të nostalgjisë për pushtuesin shekullor, po pse qe intelektual vizionar, i cili, pavarësisht tagreve që mund t’ua paguante të painformuarve, u kërkoi shqiptarëve, që, mes mbijetesës dhe rrezikut serioz të zhbërjes, të zgjedhin të keqen më të vogël.

Për shkak të veprimtarisë dhe shkrimeve me teh të mprehtë satirik kundër fqinjëve kubarë, Enciklopedia e Bashkimit Sovjetik (1945) e quajti Fishtën armik të racës sllave. Kaq u desh që Ai të ekskomunikohet dyzet vjet me radhë dhe t’i hiqen veprat nga raftet e bibliotekave dhe librarive. Mjerisht, meqë kjo nuk qe e mjaftueshme, pushtetarët e kuq ndërmorrën aktin e shëmtuar të zhvarrosjes së Tij.

Siç  shihet, mbi At Gjergj Fishtën ranë dënime të rënda politike e ideologjike, që xhelati u përpoq t’i justifikojë me pallavra “studiuesish” oborrtarë, të cilët ia anatemuan veprën duke e quajtur atë: arkaike e krahinore, të palexueshme nga lexuesit bashkëkohorë, vepër pa shtrirje kohore e hapësinore, krijimtari shovene me britma nacinaliste, poezi me mungesë të ndjenjës së atdheut…

Megjithatë, për një kategori shqiptarësh, Fishta u bë edhe më i dashur, kurse për ata që humbën arsyen nga narkoza ideologjike mbeti armiku më i rrezikshëm i kombit. Kjo bëri që Ai të jetë: krijuesi më i ekziluar dhe njëkohësisht më mitik i letërsisë sonë, krijuesi i rrethuar me heshtjen më të gjatë dhe njëkohësisht më i paharruari, poeti më i anatemuar po dhe më i hymnizuari, autori më pak i botuar po dhe më i lexuari…

Pas këtyre të dhënave është më e qartë përse shqiptarët e quajtën: Orfe dhe Homer shqiptar, përse e krahasuan me Tirteun, Gëten dhe Shilerin, përse e pagëzuan Poet vizionar të kombit, Poet luftëtar, Apostull të pavarësisë, Vigan të racës shqiptare, Gjeni më të lartë të fisit arbëror, Mbret të poetëve, Krenari e kombit, Pjella më e bukur e më fisnike e tokës sonë, Interpretuesi i qenies shqiptare…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button