Të bërit krim megjithatë nuk ia vlen

Sot presim të dalë aktakuza për rastin “Shantazhi” ku të dyshuar janë ish-prokurorja speciale Katica Janeva, Bojan Jovanovski dhe Zoran Mileski. Dhe derisa ende nuk e kemi tretur tërë mllefin për atë se si mundet që një prokurore speciale, me të ardhurat e saja, me statusin e saj, me pozitën e palëkundshme profesionale dhe përkrahjen kombëtare e ndërkombëtare që e kishte megjithatë të bjerë pre e vesit të lakmisë, ja ku kemi edhe njoftimin e djeshëm të Prokurorisë shtetërore ku thuhet që hetimi për organizatën “Aleanca Ndërkombëtare” të Boki 13 zgjerohet edhe për pesë persona tjerë ndër të cilët njëri është funksionar shtetëror.

Sipas informatave të publikuara nëpër media, thuhet që funksionarja në fjalë është nënkryetarja aktuale e Kuvendit të RMV. Sërish themi, bëhet fjalë për hetim ku personat në fjalë janë të dyshuar, dhe nuk do të thotë që janë edhe të fajshëm, prezumimi i pafajësisë ekziston edhe më tej. E megjithatë, vetë fakti që ka indice që persona në funksione të tilla të larta shtetërore janë involvuar në punët e ulta të Boki 13 dhe në një farë mënyre e kanë ndihmuar veprimtarinë e tij, është vërtet dëshpërues.

Ç’janë këta njerëz që nuk kanë respektin më elementar për pozitat të cilat i përfaqësojnë?! Njeriu i dytë i Kuvendit, shtëpisë ku bëhen ligjet, vendos ta shumëzojë me zero reputacionin e vetë dhe të bëhet shok e bashkëpunëtor me Bokin. Sa e tmerrshme!

E megjithatë, si gjithmonë, në çdo të keqe ka edhe një të mirë. Nuk mund të injorojmë faktin që ky rast po e vë në sprovë funksionimin e organeve gjyqësore. Dhe ja ku e kemi tani atë që kemi dashur gjithmonë ta shohim. Funksionimin e ligjit edhe për më të fuqishmit. Askush nuk ishte më i fuqishëm se prokurorja speciale në këtë shtet, e megjithatë ajo tani është në paraburgim dhe mbrohet në heshtje para gjykatës. Nuk e pa të arsyeshme as të deklarohet para prokurorit publik që sot e dorëzon aktakuzën.

Po ashtu, pozita e nënkryetarit të Kuvendit është mjaft e fuqishme. Ndoshta jo as e fuqishme sa e prokurorit special, por dakordohemi të gjithë që është një funksion i lartë shtetëror. E megjithatë, bartësja e kësaj pozite paraqitet e dyshuar në një aferë të rëndë korrupsioni. Dua vetëm të theksoj se sa e vështirë ishte të shihet një pamje e këtillë para disa vitesh. Askujt nuk i shkonte në mendje që ish-prokurori Zvrlevski mund të ishte i dyshuar e lëre më në paraburgim për ndonjërin nga rastet eklatante ku ai e shkeli ligjin. Të gjitha këto raste u harruan dhe u vendosën ndër qilim. Ashtu si asnjëherë nuk u kërkua llogari prej ish-kryetarit të Kuvendit për të gjitha shkeljet e Kushtetutës e të ligjeve dhe pengimit direkt të transferit të qetët të pushtetit në vitin 2017. Edhe këto ngjarje vetëm sa nuk janë harruar tërësisht. E tani kemi rast të shohim se si funksionarë aktualë shtetëtrorë, që dikur ishtin krjetësisht të paprekshëm, tani ballafaqohen me ligjin, edhe atë në forma të rënda, me paraburgim e me të gjitha nishanet.

Mbetet të shihet a do të vendoset drejtësi edhe për rastet e kaluara apo drejtësia do fillojë të vendoset nga ky pushtet aktual e më tej. Sepse ajo që shohim deri tani është një mbrojtje e pakompromis e VMRO-DPMNEsë ndaj të involvuarve në krim nga rradhët e tyre, dhe nga ana tjetër shohim një trend të vendosjes nën dyshime e akuza formale të të involvuarve në krim nga pushteti dhe institucionet aktuale shtetërore. Dallimi duhet bërë edhe atë duhet bërë mirë. Sepse të sakrifikosh atë paprekshmëri politike me të cilën njerëzit janë mësuar në këto vende dhe ta zëvendësosh atë me “pasigurinë” e gjithkujt që në cilëndo kohë ka kaluar në anën tjetër të ligjit, është një hap i rëndësishëm para në mëkëmbjen e demokracisë dhe dobësimin e poulizmit dhe klientelizmit.

Dhe tani del që ligji vlen më shumë për pushtetin se për opozitën e cila dita ditës ende i mbron të afërmit e vetë nga ndjekja penale, ndërsa ata që kanë bërë gabime nga partia kryesore në pushtet, fillojnë të bien një nga një si piunët e shahut. Kjo është diçka shumë e mirë, padyshim, por nuk duhet harruar që të gjithë ata që kanë bërë krim duhet të përfundojnë aty ku e kanë vendin. Kështu si janë duke shkuar gjërat, prokurorja speciale, në vend që të arresonte ish-kryeministrin, u vetëarrestua, ashtu si që u fut vet ndër dyshime edhe nënkryetarja e parlamentit. Ndërsa shumë të tjerë vazhdojnë të jenë në liri dhe që aty të tallen me drejtësinë. E ironia më e madhe qëndron në atë se ata biznismenët “naivë” paraqiten si viktima të “zhvatjes” e jo si bashkëpunëtorë të krimit.

Vetëm drejtësia e plotë është e drejtë. Vetëm ajo drejtësi që do i sjellë prapa grilave të gjithë ata që e meritojnë të jenë aty. Por një gjë vërtetohet dita ditës më shumë: të bërit krim nuk ia vlen. Kanë ardhur kohë të vështira miq, duhet të punohet ndershëm dhe të bartet përgjegjësi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button