Rama: Holanda merr vendime për elektoratin e saj, jo për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar sërish një problem të brendshëm të vendeve skeptike dhe veçanërisht Holandës faktin që dyzohet për të dhënë një “Po” për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Nga foltorja e Parlamentit Kryeministri ka qenë i ashpër me atë që ai e quajti KÇK, grupin e prokurorëve e gjyqtarëve të korruptuar, transmeton OraNews..

Edhe pse hapja e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian mbetet ende në pikëpyetje për shkak të Francës dhe Holandës, Kryeministri Rama ka siguruar firmën e Aleksandër Vuçiç dhe Zoran Zaev për Shengenin Ballkanik. Pak orë para nisjes drejt Serbisë Kryeministri Rama në foltoren e Parlamentit, me pasigurinë e tij për vendimin e dy vendeve skeptike, tregoi që diskutimet në komisionin holandez për Shqipërinë i kishte parë si një tablo me ngjyrat politike të Holandës.

Rama: Të gjitha fjalimet e bëra në Parlament i janë drejtuar elektoratit të atij vendi. Nuk ka lidhje fare me çfarë kemi bërë, apo çfarë nuk kemi bërë ne. Unë nuk mendoj që Finlanda, e cila ka Presidencën e Bashkimit Europian, qenka më pak ekzigjente dhe më tolerante ndaj krimit dhe korrupsionit sesa Holanda. Nuk bën vaki!

Në fjalimin e tij kontradiktor, shefi i mazhorancës nga njëra anë shprehet se vendimi i BE-së nuk ka të bëjë me atë se çfarë ka bërë apo nuk ka bërë Shqipëria, nga ana tjetër akuzon opozitën jashtë parlamentit se po minon çeljen e negociatave me qëndrimin e saj në kancelaritë perendimore.

Rama: E ky ndryshim është qasja e opozitës në vendin fqinj dhe qasja e opozitës këtu. Flas për opozitën që nuk është  e pranishme në Parlament dhe që braktisi Parlamentin, dogji mandatet, bojkotoi zgjedhjet, vetëm me një qëllim, për të minuar pikërisht çeljen e negociatave. Opozita në Maqedoninë e Veriut as dje, kur në opozitë ishin ata që ishin në konflikt të hapur me qeverinë, as sot, kur në opozitë janë ata që deri dje ishin në qeveri, nuk merr rrugët e Europës për të  bërë të pabërën për vendin e  vet.

Por prej dy javësh Edi Rama është zotuar që do të ndëshkojë me çdo çmim prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar. Dhe për të bërë realitet këtë, Kryeministri kërkoi ndihmën e Parlamentit.

Rama: Është organizata KÇK. ky Parlament duhet ta shpallë grup në kërkim. Nuk janë as dy, as pesë, as dhjetë, as pesëdhjetë, as njëqind, janë qindra. K-Ç-K-ja është grupi më i madh kriminal në Shqipëri sot, me fakte.

Për këtë nisëm Edi Rama është i bindur se do të marrë edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, pasi sipas tij Reforma në Drejtësi kërkon kohë deri sa të ngrihen institucionet të cilat do të kërkojnë llogari ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të inkriminuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button