BE-ja: Votimet në Kosovë transparente dhe demokratike

Zgjedhjet e 6 tetorit që u mbajtën në Kosovë ishin mirë të organizuara, transparente me një proces demokratik, me përjashtim në zonat e banuara me shumicë serbe. Kështu e vlerësuan procesin zgjedhor vëzhguesit e Bashkimit Evropain, të cilët ishin 100 gjithsej dhe të shpërndarë në të gjitha rajonet e Kosovës. Kryesuesja e këtij misioni, gjermanja Viola von Cramon-Taubadel, tha në një konferencë shtypi (08.10)se procesi i votimit dhe i numërimit të votave ishte i rregullt, njofton DW.

“Zgjedhjet e parlamentare ishin mirë të administruara dhe transparente. Misioni vëzhgues e ka vlerësuar pozitivisht procesin e votimit, fushata ishte e gjallë. Por në trevat ku jetojnë serbët u cënuan dhe u frikësuan ata që nuk ishin me Listën Serbe. Procesi për serbët e Kosovës nuk i përmbushi standardet ndërkombëtare. Dita e zgjedhjeve ishte e rregullt e qetë, vlerësimi i përgjithshëm ishte pozitiv. KQZ pati transparencë të procesit, ky ishte tipari kyç i KQZ-së”, thaTaubadel. Lista Srpska ka fituar 10 vendet e garantuara në Kuvend me rezultat të lartë mbi 98%.

Kryesuesja e misionit të BE-së, Viola von Cramon-Taubadel, kishte kritika për mungesën e reformës zgjedhore, ndërsa tha se kishte liri të mediave gjatë zgjedhjeve. Kritika kishte për formën e financimit të partive politike në Kosovë, ku ndër të tjera u përmend keqpërdorimi i burimeve publike dhe mungesa e transparencës në kuptimin e financimit të fushatave, e cila ka kushtëzuar garë të pabarabartë në tërë Kosovën.

Sidoqoftë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tashmë ka numëruar mbi 98% të votave, dhe deri tash nuk ka ndonjë ndyshim rezultati. Subjekti politik Vetëvendosja prin me 25.51%, e pasuar nga LDK me 24.82%. Partia e tretë renditet PDK me 21.25%, ndërsa AAK-PSD me rreth 12%. Të panumëruara janë ende votat me kusht dhe ato përmes postës. Pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave, gjë që duket se do të marrë kohë edhe disa ditë, dhe certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ, nis procedura e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re.

Bashkimi Evropian nëpërmjet zëdhënëses Maja Kocijançiq, zgjedhjet e 6 tetorit i ka vlerësuar si një ditë e mirë për Kosovën dhe sipas saj ishte shumë pozitiv fakti, se në këto zgjedhje, votuan më shumë qytetarë sesa në zgjedhjet e mëparshme. Kësaj radhe pjesëmarrja në votime ishte 44% nga 1.9 milionë banorë me të drejtë vote.

“Qeverinë e re të Kosovës e presin detyra të rëndësishme, siç janë zhvillimi ekonomik dhe shoqëror, sundimi i ligjit dhe angazhimi për rifillimin e dialogut me Beogradin. Kjo është në dobi të qytetarëve të Kosovës dhe të gjithë rajonit. BE-ja do të vazhdojë punën dhe bashkëpunimin e saj me Kosovën dhe do të promovojë pajtimin, bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor “, thotë Maja Kocijançic.

Për krijimin e qeverisë së re, fituesja e zgjedhjeve Vetëvendosja tashmë i ka bërë ftesë publike LDK-së që të nisin negociatat për krijimin e koalicionit qeveritar, por zyrtarë të LDK-së kanë thënë se ata nuk i fillojnë negociatat pa certfikimin e rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button