Marrëveshja për Brexit “ka fare pak gjasa”

Burime të Qeverisë britanike thanë se marrëveshja për Brexit, apo për daljen e Britansë nga Bashkimi Evropian, “është në thelb e pamundur”, njofton REL.

Ky vlerësim, sipas BBC-së, pason një bisedë telefonike të kryeministrit të Britanisë, Boris Johnson, me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Thuhet se Johnson foli për propozimet për marrëveshje që i ka dorëzuar te BE-ja, porse Merkel e bëri të qartë se marrëveshja e bazuar në ato propozime “ka fare pak gjasa”.

Sipas BBC-së, Merkel po ashtu tha se marrëveshja nuk do të jetë kurrë e mundur derisa Irlanda e Veriut nuk mbetet në unionin doganor.

Një zëdhënës i Merkelit tha se ata nuk i zbulojnë bisedat konfidenciale.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, bëri një postim në Twitter, duke iu drejtuar Johnsonit:

“Ajo çfarë është në rrezik nuk është të fituarit e një loje të marrë të fajit. Në rrezik është e ardhmja e Evropës dhe e Mbretërisë së Bashkuar, si dhe siguria dhe interesat e njerëzve tanë”.

Johnson ka thënë vazhdimisht se Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga BE-ja në afatin e 31 tetorit, me ose pa marrëveshje.

Një nga çështjet kryesore që e pengon marrëveshjen është e ardhmja e kufirit midis Irlandës Veriore – e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar dhe do ta linte BE-në me pjesën tjetër të vendit – dhe Republikës së Irlandës, e cila është pjesë e BE-së.

Paraardhësja e Johnsonit, Theresa May, ka arritur një marrëveshje me BE-në për këto çështje, por marrëveshja e saj është refuzuar tri herë nga Parlamenti britanik.

Një gjë e tillë ka detyaruar Mayn të japë dorëheqje, duke sjellë Johnsonin në krye të Qeverisë britanike.

Derisa BE-ja ka thënë se nuk negocion marrëveshje të re, Johnson ka dalë javën e kaluar me disa propozime të tij që duket se nuk i kanë bindur udhëheqësit evropianë.

Institucionet kryesore financiare e kanë paralajmëruar Britaninë për pasoja të rënda ekonomike nëse e lë BE-në pa marrëveshje mbi kushtet e divorcit.

Qytetarët britanikë kanë vendosur për Brexit në një referendum të mbajtur në vitin 2016.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button